Ulet numri i veturave të paregjistruara në 20 mijë nga 200 mijë – Mazreku: Për 21 vite kemi mbyllur 34 mijë lëndë

by admin
Spread the love

Veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara po
konsiderohet si sfidë për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të
Gjelbër. Në tryezën e organizuar me të njëjtën temë nga Byroja Kosovare e
Sigurimit (BKS), u tha se këtë problem e kanë edhe shumë vende tjera në botë,
raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se filluar rënia e numrit të
veturave të paregjistruara në 20 mijë, nga mbi 200 mijë sa ishte para 15
muajsh.

Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, foli për vendosjen
e stikersave nëpër vetura, duke thënë se ka për qëllim identifikimin e veturave
të paregjistruara.

Ndërsa për 21 vite, Byroja Kosovare e
Sigurimit ka arritur t’i mbyllë mbi 34 mijë lëndë.

“Janë mbi 200 mijë vetura të paregjistruara,
mirëpo asnjëherë nuk kemi marr vendime që këtë numër ta pastrojmë. Si BKS me 16
janar së bashku me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, e zëvendësministrin
Hysen Durmishi kemi marr vendim ta bëjmë vendosjen e stikersave. Për 21 vite BKS
ka mbyll 34 756 lëndë, ndërsa vetëm 15 muajt e fundit 9980 dosje”, tha Mazreku.

“Kemi nënshkruar edhe marrëveshje me Malin e
Zi. Kemi një marrëveshje me Shqipërinë. Sot kemi raporte shumë të mira me Shqipërinë.
Sa i përket raporteve biznesore kemi raporte shumë të mira edhe me Maqedoninë e
Veriut. Bëjmë thirrje që qytetarët mos me dal në trafik pa sigurim dhe pa
regjistrim. Aktualisht kemi 6.85 milionë euro për karton të gjelbër. Me 28
korrik bashkë me BQK-në jemi të ftuar në Bruksel nëse gjithçka shkon në rregull
mos me vendos datë është e mundur që edhe ne si BKS përmes një shteti të bëjmë
karton të gjelbër”, tha tutje Mazreku.

Blerim Camaj, drejtor i Agjencisë për
Regjistrim Civil, ka thënë se numri i veturave të paregjistruara ka rënë në 20
mijë, nga mbi 200 mijë sa ishte para 15 muajsh. Në tryezën “veturat e
paregjistruara dhe të pasiguruara si sfidë për anëtarësimin në sistemin e
Kartonit të Gjelbër”, Camaj ka thënë se tash në rrugët e Kosovës vetëm 5 për
qind e veturave që qarkullojnë janë të paregjistruara.

Si vetura të paregjistruara llogariten vetëm
ato që s’janë regjistruar në dy vjetët e fundit, ka thënë ai.

“Deri tani kur po raportojmë automjete të
regjistruara janë 408 mijë e 219 automjete. Të paregjistruara në dy vitet e
fundit janë 20 mijë e 630 automjete. Do të thotë numri i automjeteve të
paregjistruara ka rënë dukshëm. Pse? Sepse ne së bashku kemi bë pastrimin e
databazës së ARC-së. Dhe vendosja e stikerëve dhe bashkëpunimi me Policinë ka
ardhur te kjo shifër e automjeteve që rezulton në 5 për qind të totalit”, ka
thënë ai.

Sipas të dhënave të publikuara nga Camaj, për
katër muaj janë vënë gati 70 mijë stikerë për veturat e saporegjistruara.

Ai ka thënë se pronarëve që kanë dy e më shumë
vetura s’do t’u mundësohet regjistrimi i automjetit pa i regjistruar të tjerat
që janë paregjistruar,ose do t’i duhet t’i çlajmërojë.

Drejtoresha e Departamentit të mbikëqyrjes së sigurimeve
në BQK, Ramize Ramadani, thotë se qytetarët për të regjistruar një automjet
duhet t’i paguajnë disa taksa komunale, që sipas saj është barrë e madhe për
vozitësit.

“Për vite të tëra përkundër stabilitetit ky
sektor është ballafaquar me rrethana të pafavorshme. Ajo që mbetet sfiduese është
veturat e pasiguruara. Sektori i sigurimeve është vendi që preket më së shumti,
detyrimi ligjor për të paguar këto dëme. Efekti i humbjes nuk ndalet vetëm te sektori
i sigurimeve por dëmtohet edhe buxheti i vendit. Qytetarët e Kosovës për të
regjistruar automjetin duhet të paguajnë disa taksa komunale që e dëmtojnë
buxhetin e tyre. Në mënyrë që ta nisim në thelb është shume e rëndësishme jo
vetëm të drejtojmë qasjen e sigurimit të mjeteve por edhe të marrim masa
penalizuese. Eliminimin e taksave komunale dhe toleranca zero ndaj automjeteve
të pasiguruara do të ishte një politikë e mirëfilltë”, tha ajo.

Zëvendësministri Infrastrukturës, Mjedisit dhe
Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, u zotua që çështjen e Kartonit të Gjelbër
ta marrin më seriozisht, derisa konfirmoi edhe mbështetjen e Qeverisë.

Ai tha se me vendimin për vendosjen e
stikersave në vetura, është vërejtur ulja e numrit të veturave të
paregjistruara.

“Bashkëpunimi sa më i mirë na sjell rezultate
sa më të mira dhe sa më të shpejta. Për Kartonin e Gjelbër si qeveri e kemi
marrë sa më seriozisht. Çështja e Kartonit të Gjelbër natyrisht që është edhe
problem politik pasi që nuk jemi anëtarë të OKB-së. Unë jam i lumtur që me një
bashkëpunim të tillë çka e kemi pas jemi taku çdo dit dhe kemi diskutuar
modalitetetet për çështjen e stikersave. Numri i automjeteve të paregjistruara
ka qenë shumë i madh në Kosovë, dhe kur janë të paregjistruara mund të shkaktojnë
aksidente dhe probleme zingjirore të mëdha. Me ndihmën e BQK-së dhe BKS-së kemi
arrit ta realizojmë një projekt për zero taks për qytetarët. Kemi arrit me 15
mars ta krijojmë këtë projekt. Rezultatet e para kemi vlerësuar që do ti presim
pas një viti me 15 mars të vitit të ardhshëm. Informatat që kam unë janë shumë shpresëdhënëse
qe menjëherë kjo masë dhe masa të tjera të cilat ndermirën menjëherë ka filluar
rënia e numrit të automjeteve të paregjistruara”, tha ai.

You may also like