Ukrainë – Zelensky: Do t’i dëbojmë pushtuesit nga territoret tona

by admin
Spread the love

Volodymyr Zelensky vlerësoi 110 ditët e kaluara të luftës përmes një postimi nga llogaria e tij në “Telegram”, ku vuri në pah se Forcat e Armatosura të Ukrainës kryen operacione të suksesshme në rajonin e Donbasit (Pellgu i Donjeckut).

Sipas tij, ushtria ukrainase rifitoi kontrollin e rajoneve jugore të vendit gjatë këtyre 110 ditëve dhe se ata çliruan pjesën dërrmuese të rajonit të Harkivit nga “duart e armikut”.

“Përgjithësisht, mbi 1.000 vendbanime u çliruan dhe sulmet e pushtuesve në jug të Ukrainës u ndalën”, theksoi Zelensky.

Ai tha se ushtarët ukrainas u kanë shkaktuar humbje të mëdha forcave ruse edhe në Donbas.

“Betejat në Donbas do të hyjnë patjetër në histori si një prej luftërave më brutale në Evropë dhe për Evropën”, u shpreh udhëheqësi ukrainas.

Duke potencuar se Ukraina ka nevojë për armë të fuqishme dhe moderne për t’i dhënë fund luftës që vazhdon në vendin e tij prej 24 shkurtit (2022), Zelensky theksoi se shumë civilë dhe fëmijë kanë humbur jetën në këtë luftë.

“Kostoja e kësaj lufte për Ukrainën është shumë e rëndë dhe e tmerrshme”, vlerësoi ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se vija e frontit të luftës me Rusinë në Ukrainë ka arritur në mbi 2.500 km gjatësi, presidenti ukrainas vijoi me këto fjalë: “Ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojmë dhe të çlirojmë të gjithë atdheun duke i dëbuar pushtuesit nga territoret tona.”

Zelensky nënvizoi se do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara e të aneksuara nga Rusia dhe se njerëzve që jetojnë në këto territore, duhet t’u jepet informacion i saktë për luftën në vazhdim në pjesë të tjera të Ukrainës.

“Thuajuni atyre se ushtria ukrainase do të vijë patjetër. Padyshim që ne do ta çlirojmë edhe Krimenë tonë. Flamuri ukrainas do të valëvitet përsëri mbi Jaltë, Sudak, Xhankoj dhe Evpatori. Dhe çdo zyrtar rus që ka konfiskuar toka të çmuara në Krime, duhet të ketë parasysh se kjo nuk është një tokë ku ata mund të gjejnë paqe”, përfundoi ai.

You may also like