UKRAINË – Presidenti Zelensky shpall “Ditën e Unitetit” mes paralajmërimeve për një pushtim të mundshëm rus

by admin
Spread the love

MOSKË, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Në sfondin e paralajmërimeve të SHBA-së për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga trupat ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpallur me dekret 16 shkurtin “Ditën e Unitetit”.

“Na kanë thënë se 16 shkurti do të jetë dita e pushtimit, po ne do ta bëjmë ditën e unitetit”, tha sot kreu i shtetit Zelensky.

Qeveria amerikane kishte paralajmëruar kohët e fundit se e konsideronte të mundshëm një pushtim rus përpara përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë më 20 shkurt. Sipas raportimeve të medias, informacionet e shërbimeve sekrete amerikane përmendën 16 shkurtin si një datë të mundshme për një veprim ushtarak rus.

Ukrainasit pritet të ngrenë flamuj në të gjithë vendin këtë të mërkurë dhe të këndojnë himnin në orën 10 të mëngjesit. “Le t’i tregojmë gjithë botës unitetin tonë”, tha lideri 44-vjeçar.

Në fjalimin e tij, Zelensky përsëri hodhi poshtë akuzat ruse se Ukraina po bënte përgatitje për një ofensivë kundër territoreve separatiste të Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainën lindore, të njohura kolektivisht si Donbas.

“Donbasi dhe Krimea do të kthehen në Ukrainë ekskluzivisht përmes kanaleve diplomatike”, theksoi presidenti Zelensky.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në Detin e Zi në vitin 2014 dhe më pas mbështeti gjithashtu separatistët pro-rus në Ukrainën lindore.

Fjalimi erdhi pasi SHBA-ja njoftoi se po zhvendoste operacionet e ambasadës së saj nga kryeqyteti Kiev në qytetin e Lviv-it pranë kufirit me Poloninë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like