UKRAINË – Kryetari i Gjykatës së Lartë arrestohet me dyshimin për korrupsion

by admin
Spread the love

KIEV, 16 maj /ATSH-AFP/ – Kryetari i Gjykatës së Lartë të Ukrainës, Vsevolod Kniazev është arrestuar në një çështje korrupsioni prej 2,7 milionë dollarësh (2,5 milionë euro), thanë të martën strukturat antikorrupsion të vendit.

”Kryetari i Gjykatës së Lartë është marrë në paraburgim”, tha në një konferencë për shtyp një zyrtar i prokurorisë së Ukrainës kundër korrupsionit, Oleksandre Omeltchenko.

”Një tjetër person është arrestuar”, tha ai pa bërë të ditur identitetin e tij.

“Ky është rasti më i madh që prek degën gjyqësore të shtetit”, tha kreu i zyrës kombëtare kundër korrupsionit Semen Kryvonos, duke iu referuar një “grupi kriminal” të formuar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Zyrtarët kundër korrupsionit thonë se miliarderi ukrainas Kostiantin Jevago, të cilin Ukraina po kërkon ta ekstradojë nga Franca, ka rënë dakord me një firmë ligjore për t’i paguar një ryshfet Gjykatës së Lartë në mënyrë që ajo “të miratojë një vendim të nevojshëm” në lidhje me këtë ish-deputet.

Sipas Prokurorisë Kundër Korrupsionit, Jevago transferoi 2,7 milionë dollarë për avokatët.

Nga kjo shumë, 1,8 milionë dollarë duhej t’u paguheshin gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe 900 000 dollarë avokatëve për “shërbimet e tyre si ndërmjetës”.

Gjithashtu sipas prokurorisë, biznesmeni kërkonte që Gjykata të jepte një vendim që do t’i lejonte të mbante kontrollin e aksioneve të një kompanie minerare, e cila është objekt mosmarrëveshjeje mes Jevago dhe ish-aksionerëve.

I pasuri i pestë i vendit, vlerësuar në 1,4 miliardë dollarë nga versioni ukrainas i revistës amerikane ”Forbes”, Jevago është pronar i grupit minerar ”Ferrexpo” dhe prej disa vitesh është në listën e personave të kërkuar nga Ukraina.

Ky ish-deputet akuzohet se ka përvetësuar 113 milionë dollarë nga banka e tij ”Finance and Credit Bank”, e cila falimentoi në vitin 2015.

I arrestuar më 28 dhjetor 2022 në Courchevel të Francës, ai u vendos në paraburgim për disa ditë dhe më pas nën mbikëqyrje gjyqësore që nga fillimi i janarit.

Lufta kundër korrupsionit, një e keqe endemike në Ukrainë, është një nga kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për ruajtjen e statusit kandidat të Kievit.

Ukraina është përballur me një pushtim rus që nga shkurti i vitit 2022.

Një rast i mëparshëm korrupsioni në janar, në lidhje me furnizimet për ushtrinë, kishte shkaktuar një kaskadë dorëheqjesh në ministri, në qarqe dhe në sistemin gjyqësor të vendit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like