UKRAINË – Kievi: Miliona tonë grurë u transportuan përmes lumit Danub

by admin
Spread the love

KIEV, 28 gusht /ATSH-DPA/- Autoritetet ukrainase njoftuan sot se gruri po transportohet përtej lumit Danub pas një bllokade për shkak të luftës së Rusisë që nisi gjashtë muaj më parë.

“Vetëm të shtunën, 11 anije u nisën për në portet e Izmail, Reni dhe Ust-Dunaysk ku u ngarkuan me 45,000 tonë grurë”, raportoi sot Ministria e Infrastrukturës në Ukrainë.

Sipas ministrisë, që nga marsi, mbi 4 milionë tonë grurë janë transportuar tashmë nga vendi përmes porteve të Danubit në Ukrainë.

Pas fillimit të sulmit rus, fokusi u kthye në portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi, të cilat u bllokuan për muaj të tërë dhe miliona tonë grurë nuk mund të transportoheshin nga vendi.

Më 22 korrik, Ukraina dhe Rusia, nën ndërmjetësimin e OKB-së, nënshkruan një marrëveshje me Turqinë për të lejuar eksportet nga Ukraina nga tre porte të Detit të Zi, duke lehtësuar presionin ndaj tregjeve globale të ushqimit.

Qendra Koordinuese e Stambollit, e cila u krijua në bazë të marrëveshjes, tha në fundjavë se 1 milion ton grurë dhe produkte të tjera ushqimore ishin eksportuar përmes Detit të Zi deri më tani. Gjithsej, drejt ose nga Ukraina ishin nisur 103 anije.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like