Ukraina sulmon “kështjellën” e Putinit, lufta spostohet në Krime!

by admin
Spread the love

Fokusi i luftës në Ukrainës po spostohet në Krime me forcat e Kievit që kane sulmuar për të dytën radhazi me dronë e raketa pozicionet ushtarake ruse në gadishullin e aneksuar prej Moskës në 2014-tën.

Objektivi i fundit, sipas mediave ukrainase, ishte një sistem mbrojtjeje ajrore S-400 pranë qytetit Evpatoriya, i dyti i mësyrë brenda pak javësh. Një natë më parë, Ukraina kishte raportuar një sulm spektakolar në Sevastopol, bazën kryesore të Flotës së Detit të Zi. Sipas raporteve nga Kievi, disa raketa lundrimi goditën një anije luftarake dhe një nëndetëse.

Të dyja u dëmtuan rëndë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se anijet do të riparohen. Prej javësh, ushtria ukrainase ka shtuar sulmet kundër Krimesë. Sulmet kurrë nuk kanë qenë kaq intensive dhe kurrë nuk kanë rezultuar në kaq shumë humbje për palën ruse. Gadishulli i konsideruar si kështjella e Vladimir Putinit, shndërrua nga Rusia pas aneksimit në një kështjellë ushtarake me disa baza për forcat detare dhe ajrore.

Trupat ruse atje thuhet të jenë 32.000, e po kështu mendohet që në gadishull të jenë vendosur edhe armë bërthamore. Pse është Krimea kaq e rëndësishme për të dyja palët? Përtej rëndësisë simbolike që vazhdon të theksojë presidenti rus Vladimir Putin, ajo është veçanërisht e rëndësishme edhe në kuptimin ushtarak. Flota e Detit të Zi e vendosur atje sulmon qytetet ukrainase me raketa lundrimi Kalibr, nga brenda vendit deri në kufirin e BE-së.

E njëjta gjë vlen edhe për avionët e vendosur në Krime dhe raketat e tyre. Përveç kësaj, Krimea luan një rol qendror në furnizimin e trupave ruse në Ukrainën jugore. Së fundi, bllokada detare e porteve të Ukrainës do të ishte e vështirë për Rusinë të zbatohej pa Krimenë.

 


Top Channel

You may also like