Ukraina plotëson pyetësorin për anëtarësim në BE

by admin
Spread the love

Ukraina ka plotësuar pyetësorin që do të shënojë pikënisjen për antarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë nënkryetari i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, Ihor Zhovkva.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia ka dorëzuar pyetësorin Zelenskyt gjatë vizitës së saj në Kiev më 8 prill, duke u zotuar që sa më shpejtë do të dalin me ofertë për Ukrainën që të bëhet anëtare e BE-së.

“Sot mund të them se dokumenti është kompletuar nga pala ukrainase”, ka thënë Zhovkva të dielën mbrëma për transmetuesin publik ukrainas.

“Ne presim që rekomandimi të jetë pozitiv dhe atëherë topi do të jetë në anën e vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë Zhovkva.

Sipas tij, Ukraina pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor gjatë një takimi që është planifikuar të mbahet në Këshillin Evropian.

KE-ja do të zhvillojë takimin rreth datave 23-24 qershor, sipas planit të Këshillit të publikuar në faqen zyrtare të tij.

“Më pas do të na duhet të fillojmë bisedimet e pranimit. Dhe pasi t’i zhvillojmë ato bisedime, mund të flasim për anëtarësimin e plotë të Ukrainës në BE”, ka përfunduar Zhovkva.

Rruga Press

You may also like