Ukraina godet linjat ruse të furnizimit në Krime

by admin
Spread the love

Krimeja e pushtuar është kthyer në shënjestër të ushtrisë ukrainase. Të shtunën forcat e Kievit goditën një depo nafte dhe një depo municionesh. Guvernatori rajonal tha se ushtria ukrainase përdori dronë për sulmin i cili më pas nxiti evakuimin e banorëve dhe ndërprerjen e trafikut hekurudhor në urën e Krimesë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se ura e Krimesë është objektiv legjitim luftarak, sepse shërben si rrugë e furnizimit ushtarak për Rusinë. Ai siguroi se ura do “të neutralizohet”.

“Ura mbi Ngushticën e Kerçit përdoret çdo ditë për të siguruar municione për luftën. Ajo është vazhdimësi e pushtimit rus të Krimesë. Ndërtim i armikut, i bërë në kundërshtim me të drejtën dhe me të gjitha normat e zbatueshme ndërkombëtare”.

Ura u dëmtua më 16 korrik, nga një sulm i ushtrisë ukrainase. Pasiguria në gadishullin e pushtuar të Krimesë vjen paralel me gjendjen e paqartë në zinxhirin komandues të Rusisë.

Nacionalisti i shquar rus Igor Girkin, i cili ka akuzuar publikisht presidentin Vladimir Putin dhe drejtuesit e ushtrisë për gabime gjatë luftës në Ukrainë është arrestuar me akuzën e nxitjes së ekstremizmit dhe ndodhet në paraburgim.

Arrestimi i tij nga ish-punëdhënësi i tij, shërbimi i sigurimit shtetëror FSB, tregon se autoritetet janë lodhur nga kritikat e tij. Eliminimi i tij nga skena politike dhe ushtarake vjen pas rebelimit të dështuar muajin e kaluar të udhëhequr nga një tjetër kritik i hapur, Yevgeny Prigozhin, i cili tani ka regjistruar kompaninë e tij private ushtarake në Bjellorusi.

Ndërsa Ukraina mori bomba thërrmuese nga Shtetet e Bashkuara këtë javë, zyrtarët e saj të mbrojtjes konfirmuan përdorimin e tyre në front.

Ndërkohë, bombardimet dhe sulmet ajrore ruse ndaj zonave civile të Ukrainës dhe ndaj infrastrukturës për eksportimin e grurit kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë dhe kanë shkaktuar dëme masive materiale gjatë 24 orëve të fundit. Ushtria ruse lëshoi 16 raketa lundruese dhe ka kryer mbi 20 sulme ajrore ndaj pozicioneve dhe zonave të banuara ukrainase.

You may also like