Ukraina godet fabrikën e dronëve Shahed në Rusi – Shqip

by admin
Spread the love

Dronët kamikazë ukrainas të një modeli të ri sulmuan fabrikën e prodhimit të dronëve Shahed 136 në Rusi, më shumë se 1100 km nga vija e frontit. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një avion-dron duke u përplasur me një ndërtesë, që shkaktoi një shpërthim të madh. Sulmi nuk shkaktoi dëme serioze në Yelabuga, ndërsa disa njerëz u plagosën. Zona pranë Yelabuga ka fabrika kimike dhe për trajtimin e metaleve, njëra prej të cilave besohet se përdoret për montimin e dronëve kamikaze Shahed.

Ndërkaq dronët ukrainas synuan sërish një tjetër rafineri nafte në Rusi. Mbrojtja ruse kishte rrëzuar një prej tyre pranë rafinerisë Taneco, një nga më të mëdhatë në Rusi, në Nizhnekamsk. Sipas mediave ky është një nga sulmet me distancën më të largët të kryer deri më tani me dronë të prodhuar nga vetë Ukraina. Rafineria e naftës Taneco është një nga më të mëdhatë dhe më të rejat në Rusi dhe kapaciteti i saj prodhues është rreth 360,000 fuçi në ditë.

Ndërkaq ushtarët ukrainas në vijën e frontit po përballen me mungesë predhash. Të pozicionuar në një vendndodhje të pazbuluar në rajonin lindor të Donetskut, ushtarët e brigadës së 93-të kërkojnë ndihma teksa luftimet janë intensifikuar. Nevoja më urgjente për Ukrainën dy vjet pas nisjes së agresionit në shkallë të plotë të Rusisë janë municionet i cili po mbaron përgjatë vijës së frontit 1000 km.

“Mendoj se partnerët do të na japin predha, por jo numrin që kanë premtuar. Ne duhet të krijojmë prodhimin tonë në mënyrë që të mos jemi të varur nga askush”.

Bashkimi Evropian, i cili me aleatët e tjerë perëndimorë nisi një iniciativë në mars 2023 për të dorëzuar 1 milion predha artilerie në Ukrainë brenda 12 muajve. Një vit më vonë, ajo kishte dorëzuar pak më shumë se gjysmën e këtij numri, për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të prodhimit. Një muaj më parë Komisioni Evropian propozoi një program të ri të industrisë së mbrojtjes prej 1.5 miliardë euro. Programi i ri u bën thirrje 27 vendeve anëtare të BE-së të prodhojnë së bashku të paktën 40% të pajisjeve të tyre të mbrojtjes kolektivisht deri në vitin 2030.

 

You may also like