UEFA do të mblidhet për të vendosur se çfarë do të bëjë me finalen në Rusi

by admin
Spread the love

Konfederata Europiane e Futbollit njoftoi të enjten organizimin e një takimi të jashtëzakonshëm të premten, për të “vlerësuar situatën” pas sulmit tw Rusisw ndaj Ukrainës, ku do të zhvillohet finalja e Champions League më 28 maj, në Sankt Petersburg

Instanca europiane e futbollit do të takohet me komitetin e saj ekzekutiv të premten në orën 10:00 për të “marrë të gjitha vendimet e nevojshme”, njoftoi në një deklaratë për shtyp të enjten.

Takimi urgjent vjen pasi kryeministri britanik Boris Johnson tha të martën se kishte “zero shanse” që Rusia të mund të organizonte turne futbolli në javët e ardhshme, transmeton portali Shtegu.

Rusia, vendi pritës i Kupës së Botës 2018, do të presë finalen e Ligës së Kampionëve (C1) më 28 maj, në Gazprom Arena në Sankt Petersburg, e përdorur tashmë në verën e vitit 2021 për Euro 2020, e cila ishte shtyrë për një vit.

Ministrja britanike për Sport dhe Kulturë, Nadine Dorries, kishte thënë tashmë në Twitter se kishte “shqetësime të thella” për organizimin e ngjarjeve sportive në Rusi, duke përmendur në veçanti finalen e Ligës së Kampionëve.

“Ne nuk do të lejojmë që presidenti Putin të shfrytëzojë ngjarjet në skenën ndërkombëtare për të legjitimuar pushtimin e tij të paligjshëm të Ukrainës”, shtoi ajo, duke shtuar se do të takohet me “organet përkatëse qeverisëse”.

UEFA-s tashmë i është dashur të zhvendosë dy finalet e fundit të Ligës së Kampionëve, në Lisbonë në vitin 2020 dhe më pas në Porto në 2021, për shkak të pandemisë Covid-19 që pengoi që ndeshja të luhej në Stamboll, siç ishte planifikuar fillimisht këto dy vite atje.

Mbrëmjen e së mërkurës, në Champions League, sulmuesi ukrainas i Benfica-s së Lisbonës, Roman Yaremchuk ka festuar një gol duke veshur një fanellë me ngjyrat e vendit të tij. “Doja të mbështesja vendin tim. Kam menduar shumë për këtë temë dhe kam frikë nga kjo situatë”, shpjegoi ai për CNN Portugal.

You may also like