Udinese fiton me poker ndaj Empolit, Salernitana surprizon Sampdorian

by admin
Spread the love

Janë luajtur edhe dy ndeshje të tjera të javës së 33 në Serie A me Udinesen që mposhti me poker shqiptarët e Empolit. Bajrami me shokë humbën me rezultatin 4-1 dhe regjistrojnë tashmë ndeshjen e 16-të pa fitore në Serie A.

Në ndeshjen tjetër, Salernitana është rikthyer te fitorja pas 11 ndeshjesh “thatësirë” dhe mposhti në transfertë Sampdorian. Dy gola në gjashtë minutat e para kanë mjaftuar për miqtë që të bënin një surprizë të bukur në “Luigi Ferraris”, ndërsa shpresat për mbijetesë janë rritur pas këtyre tre pikëve.

Nuk ishte mënyra më e mirë për të nisur ndeshjen për Ardian Ismajlin që fatkeqësisht shënoi një gol në portën e vetë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare e devijoi keq topin duke e ndalur më pas topin në rrjetë. Kështu ndeshja u zhbllokua që në minutën e 6-të, ndërsa me këto shifra u mbyll edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Udinese thelloi diferencën me anë të Gerard Deulofeu. Megjithatë, Empoli fitoi një 11-metërsh pak minuta më vonë ku nga pika e bardhë u vendos Andrea Pinamonti. Ky i fundit e humbi penalltinë, por u realizua në gol nga shoku i tij i ekipit.

VAR do të kthente edhe njëherë penalltinë, dhe këtë herë Pinamonti nuk fali duke e çuar në rrjetë. Në momentin kur Empoli po kërkonte edhe golin e barazimit, Udinese e ndëshkoi sërish me anë të Pusseto.

Pokeri u plotësua nga Lazar Samardzic me një goditje nga distanca duke i çuar shifrat në 4-1. Ky ishte edhe goli që vulosi takimin, ndërsa Empoli vazhdon ecurinë negative dhe numri i ndeshjeve pa fitore shkon në 16.

Në sfidën Sampdoria-Salernitana, ishte Federico Fazio ai që prishi ekuilibrat që në minutën e katërt të takimit. Dy minuta më vonë do të vinte edhe dyfishimi i rezultatit që do të heshte “Luigi Ferraris”. Këtë herë goli erdhi nga braziliani Ederson.

Sampdoria u hodh menjëherë në kërkim të golit që do të ngushtonte diferencat dhe e gjeti atë në minutën e 32 me anë të Ciçio Caputo. Me këto shifra u mbyll edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Sampdoria provoi gjithçka për të dalë me të paktën një pikë nga ky takim. Megjithatë, të gjitha rastet nuk prodhuan dot gol, ndërsa nga ana tjetër lanë edhe shumë hapësira prapa. Edhe në këtë rast, Salernitana nuk shfrytëzoi dot mundësitë e dhëna duke e mbyllur pjesën e dytë me rrjeta të paprekura.

Kështu tre pikë shumë të rëndësishme për Salernitanën që arriti fitoren e parë pas 11 ndeshjesh thatësirë në Serie A. Ekipi i Nicolas qëndron në vendin e fundit, në kuotën e 19 pikëve, por me dy ndeshje më pak, ka shpresa te mbijetesa. Sampdoria sakaq shpërdoron një rast mjaft të mirë dhe vazhdon të jetë në rrezik nga ekipet e zonës së ftohtë. /oversport.tv

Foto: Empoli Fc Official, Twitter

You may also like