Uashington/ Kopshti zoologjik i jep lamtumirën pandave

by admin
Spread the love

Kopshti Zoologjik Kombëtar “Smithsonian” po organizon aktivitete festive për t’i dhënë lamtumirën arushëve panda.

Gjatë qëndrimit të tyre të gjatë në Uashington, pandat kanë sjellë gëzim për miliona vizitorë dhe breza të tërë admiruesish. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Liliya Anisimova, pandat po përgatiten për të shkuar në Kinë.

Pandat gjigande janë admiruar për mbi gjysmë shekulli nga vizitorët në Kopshtin Zoologjik Kombëtar “Smithsonian” dhe Institutin për Konservimin Biologjik. Në vitin 2011…punonjësit e kopshtit zoologjik të Uashingtonit instaluan kamera në mjediset e pandave, të cilat që nga ajo kohë kanë tërhequr mbi 100 milionë shikime. Por megjithë popullaritetin e pandave, kohës së tyre në Uashington po i vjen fundi, pasi po përfundon afati i marrëveshjes me Shoqatën Kineze të Konservimit të Jetës së Egër.

“Të shpresojmë që ky nuk është fundi i programit të pandave… Kur punojmë me kafshët nuk është vetëm për individët – punojmë për të shpëtuar një specie dhe popullsi të tërë. Pra, ndërsa është një moment i hidhur, që po i humbasim këta individë, që i njohim shumë mirë, është një fitore për të gjithë popullsinë, për të gjitha pandat gjigande”, thotë Michael Brown-Palsgrove, përgjegjës për pandat.

Vizitorët kanë mundësinë t’u japin lamtumirën pandave Tian Tian, Mei Xiang, dhe arushit të tyre 3-vjeçar, Xiao Qi Ji, lindja e të cilit gjatë pandemisë u ndoq nga mbi 600 mijë njerëz nëpërmjet internetit.

Pandat prindër erdhën në kopshtin zoologjik në vitin 2000 dhe lindën gjatë viteve tre arushë të tjerë, përpara arushit Xiao Qi Ji.

“Sipas marrëveshjes, kur arushët arrijnë në moshën 4-vjeçare, shkojnë në Kinë dhe marrin pjesë në programet e tyre të shumimit. Pra dy meshkuj dhe një femër gjenden tashmë në Kinë dhe janë integruar në programin e shumimit dhe kanë lindur pasardhësit e tyre për ta vazhduar me sukses këtë përpjekje konservuese”, thotë zoti Brown-Palsgrove.

Sot, gati 1900 panda jetojnë në natyrë dhe rreth 600 të tjera në kopshtet zoologjike në mbarë botën. Falë punës së madhe të shkencëtarëve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, popullsia e pandave gjigande është rritur dhe kjo specie nuk konsiderohet më e rrezikuar.

“Kanë diçka që të tërheq. Mënyra se si rrotullohen, mënyra se si ngjiten në pemë, mënyra se si të shikojnë – të bëjnë të duash të bëhesh pjesë e botës së tyre. Njerëzit vijnë dhe kënaqen që i shohin, por edhe mësojnë më shumë për konservimin dhe se sa punë duhet për të shpëtuar kafshët nga zhdukja”, thotë Bob Lee, drejtues për kujdesin ndaj kafshëve.

Për herë të parë pas 50 vitesh, kopshti zoologjik i Uashingtonit nuk do të ketë më panda. Punonjësit thonë se do t’i mirëmbajnë mjediset e tyre, me shpresën se një ditë do të mirëpresin arushë të rinj panda nga Kina./ voa


Top Channel

You may also like