Turqia nis “fshesën” para zgjedhjeve/ Valë arrestimesh, 110 vetë në pranga

by admin
Spread the love

Me dhjetëra persona janë arrestuar në Turqi nën akuzat e terrorizmit pak përpara se vendi të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe ato të përgjithshme në 14 maj.

Policia turke njoftoi prangosjen e të paktën 110 vetëve si pjesë e një operacioni madhor që kishte në shenjester grupin militant, Partia e Punëtoreve te Kurdistanit, të cilin Ankaraja e ka shpallur organizatë terroriste. Arrestimet u kryen në 21 provinca të vendit, përfshirë Diarbakirin me shumicë popullsie kurde.

Reuters citon një ligjvënës pro-kurd të pohojë se në mesin e të ndaluarve ka edhe politikanë, avokatë dhe gazetarë, për të cilët pretendon se në fakt janë arrestuar në lidhje me zgjedhjet, që këtë radhë e rrezikojnë fort betejën e  Rexhep Tajip Erdoganit për vazhdimin e qeverisjes së vet jetëgjatë.

“Në prag të zgjedhjeve, nga frika se do të humbin pushtetin, ata kanë nisur sërish operacionet e arrestimeve”, shkroi në Twitter, Tayip Temel, ligjvënës nga PPD.

Erdogan e ka akuzuar shpesh këtë force politike për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, akuza këto të cilat ajo gjithmonë i ka hedhur poshtë me forcë. Partia Popullore Demokratike vetë muajin e kaluar nuk garoi me ndonjë kandidat për zgjedhjet presidenciale të 14 majit, por ofroi mbështetje për rivalin kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu.


Top Channel

You may also like