Trazirat në Jerusalem/ Izraelitët marshojnë në lagjen myslimane të qytetit, reagon ashpër Palestina

by admin
Spread the love

Mijëra ultra-nacionalistë izraelitë marshuan këtë të diel në Jeruzalem. Teksa valëvisnin flamujt hebre, ata parakaluan në rrugët kryesore të qytetit, lëvizje që nga palestinezët konsiderohet provokim i rëndë.

Izraeli po luan me zjarrin, thuhet në një reagim nga Presidenca palestineze. Ndërsa Izraeli thotë se marshimi është për të festuar pushtimin e Jerusalemit lindor nga Izraeli, (përfshirë edhe Qytetin e Vjetër) në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Hebrenjtë u mblodhën jashtë Damaskut, duke kënduar këngë fetare dhe nacionaliste, ndërsa nuk mungonin thirrjet “Vdekje arabëve”.

Në zonë ndërhyri policia, që shpërndau turmën e njerëzve që feston pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Izraeli pretendon se i gjithë Jerusalemi është kryeqyteti i tij. Por, palestinezët, të cilët pretendojnë se Jerusalemi lindor është kryeqyteti i tyre, e kanë parë këtë marsh si provokim.

Vitin e kaluar, ky marshim i ngjashëm nxiti një luftë 11-ditore midis Izraelit dhe militantëve të Gazës. Trazirat ndodhën në një kompleks në majë të një kodre, që konsiderohet vend i shenjtë si nga hebrenjtë ashtu edhe nga myslimanët. Ky kompleks është shtëpi e xhamisë Al-Aksa, vendit të tretë të shenjtë në Islam. Ai po ashtu është vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët e quajnë Mali i Tempullit dhe e konsiderojnë atë shtëpi të tempujve biblikë.


Top Channel

You may also like