Trajneri i Interit synon të thellojë diferencën të dielën. Shah në tre lëvizje, Inzagi përgatit duelin me Alegrin

by admin
Spread the love

Interi po përgatitet të vizitojë Juventusin dhe Simone Inzagi po studion kartat për të luajtur kundër Maks Alegrit. Dyshja është përballur në mënyrë të vazhdueshme gjatë karrierës së tyre dhe për asnjërin nuk është e lehtë të surprizojë tjetrin. Këtë herë Interi dhe Juvja vijnë si dy vendet e para të kampionatit dhe nëse torinezët do të kërkojnë të marrin kreun sepse janë vetëm dy pikët që i ndajnë, milanezët do të tentojnë të zgjerojnë hendekun me ndjekësit më të afërt.

Me objektivin tashmë të njohur të yllit të dytë, Simone Inzagi ka nisur përgatitjet për derbin e Italisë.

MBROJTËSIT

– Lëvizja e parë në të cilët pritet të bazohet loja e Inzagit ka të bëjë me shtytjen e dy qendërmbrojtësve, që mund të cilësohen mbrojtës krahu në prapavijën me tre të zikaltërve. Nuk do të jenë titullarët e zakonshëm Pavar dhe Bastoni për shkak të dëmtimeve, por do të jenë Darmian dhe Açerbi ata që do të marrin vendin e tyre. Të dy italianët kanë këmbën e duhur për të ndihmuar në qarkullimin e topit dhe për të shfrytëzuar hapësirat që mund të krijohen mes mesfushorëve të qendrës dhe atyre anësorë. Për më tepër, Darmian si një lojtar që bën shumë mirë edhe rolin e mesfushorit anësor, di jo vetëm të zgjedhë kohën e duhur të depërtimit, por ka edhe aftësinë për të shkuar në vijën fundore. Jo më kot, golat e tij kanë qenë vendimtarë në titullin e Kontes në 2021-shin.

ANËSORËT

– Çelësi i dytë i Interit konsiderohen anësorët e mesfushës, të cilët duhet të kenë shpejtësinë e rrufeshme të mendimit dhe ekzekutimit për të thyer kompaktësinë e Juves. Prandaj ndryshimet e lojës nga një krah në tjetrin priten të jenë vendimtare, mbi të gjitha falë së majtës “së helmuar” të Dimarkos dhe depërtimeve të Dumfrisit. Holandezi është rikthyer te golat dhe është tashmë edhe më i rritur në nivel teknik. Për më tepër, nuk duhen harruar edhe vertikalizimet e Çalhanoglusë, i cili duket se nuk ka asnjë korridor që s’mund ta kalojë.

DEPËRTIMET

– Shumë do të varet nga lëvizja e sulmuesve, që do të bëjë diferencën në ndeshje. Jo më kot Lautaro është golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe Turam asistuesi më i mirë. Thënë këtë, përveç dyshes që tashmë e njeh mirë njëritjetrin dhe nuk zhgënjejnë në komunikimin në fushë, Interi duhet të ketë në dispozicion edhe një lëvizje surprizë. Shfrytëzimi i Mikhitarianit nuk duhet neglizhuar dhe këtu sulmuesit duhet të tregohen mjaftueshëm të zotë për t’i krijuar hapësirë armenit, në mënyrë që të shkojë një kundër një me mbrojtësit kundërshtarë. Dhe për lojtarin më driblues të skuadrës, kjo do të ishte idealja.

Përgatiti: NISI GJINI- PANORAMASPORT.AL

You may also like