Tomas Tuhel: Nuk jam skizofren, titullin nuk e komandojmë më ne

by admin
Spread the love

Ka gjithmonë shpresë dhe fitorja kundër Lacios na ndihmon të kuptojmë e shpresojmë edhe për mënyrën se si e arritëm. Ajo duhet të na japë kurajë dhe besim për ndeshjet e ardhshme, pasi këto janë cilësitë që duhet të na shoqërojnë kur mbajmë veshur këtë fanellë. Do të kemi një duel delikat me Maincin, por shpresoj dhe kam besim se edhe kundër tyre mund të tregojmë në fushë të njëjtat gjëra pozitive që treguam ndaj Lajpcigut dhe Lacios, sepse një tjetër fitore do të na shtonte edhe më shumë vetëbesim”.

Është kjo hyrja e konferencës së Tomas Tuhelit, trajnerit të Bajernit të Mynihut, i cili sot do të presë së bashku me lojtarët e tij në “Allianz Arena” Maincin. Gjithsesi, më shumë sesa sfida me rivalët e radhës në kampionat, sigurisht që pyetjet shkojnë për pengjet e këtij sezoni deri tani, siç është distanca prej 10 pikësh aktuale ndaj Leverkusenit, me Tuhelin që sqaron: “Nëse do të thosha se në fund do ta fitonim ne Bundesligën, shumë do të thoshin se jam skizofren, ose nuk kam asnjë kontakt me realitetin. Por realiteti thotë gjithashtu se ka ende shumë ndeshje dhe pikë në dispozicion, ndaj besoj se pas pak javësh mund të bëjmë një vlerësim më real të situatës, – vazhdon Tuheli. –

Fillimisht kërkoj se duhet të gjejmë një stabilitet të ri dhe më pas të mos humbasim distancën nga kreu. Titulli sigurisht që nuk është në duart tona dhe Leverkuseni nuk na ndjen më frymën pas qafe vetëm për fajin tonë dhe kjo gjë sigurisht që nuk më bën aspak të lumtur. Por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, të fitojmë, të fitojmë, vetëm të fitojmë, pasi më në fund po rigjejmë edhe disa lojtarë të rëndësishëm që mund të na japin një dorë në menaxhimin e lodhjes si Gnabri, Koman e të tjerë.

Ku ka humbur Brajan Rodrigez? Këtu me ne dhe po stërvitet e përmirësohet çdo ditë. Por është normale që të ketë probleme në ambientim, sepse ende nuk di asnjë fjalë gjermanisht, apo qoftë edhe anglisht dhe kjo e kushtëzon jo pak. Gjithsesi, ju garantoj se ai ka shumë cilësi dhe ndoshta në këto ndeshje të fundit do të mësojë të integrohet në lojën tonë. Pastaj, për të tjerat nuk di çfarë të them”.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like