Tirana zhgënjen sërish, në një tjetër sfidë europiane. Këtë herë në Conference League, përballë Zrinjskit që triumfoi në Air Albania me rezultatin minimal 1-0. Ishte goli i Bilbija me 11 metërsh që vendosi fatet e takimit, por Tirana nuk tregoi nivelin që ka shfaqur gjatë sezonit ku u shpall kampion.
Të besuarit e Orges Shehit e nisin disi mirë ndeshjen dhe me dëshirën për të surprizuar kundërshtarin. Megjithatë, përpara portës të dyja ekipet janë të paqarta në minutat e para.
Në minutën e 12-të miqtë fitojnë një 11-metërsh që kthehet në gol nga Bilbija.
Më pas është sërshish Zrinjski që rrezikon më shumë, ndërsa Tirana edhe pse përpiqet të dalë para nuk krijon dot raste që të vendosë në provë portierin kundërshtar. Disa pritje të mira të Bekajt mbajnë në lojë kryeqytetasit, që duken të pafuqishëm.
Në pjesën e dytë do të ishtë sërish e njëjta panoramë, Tirana e nis mirë me dëshirë për të vendosur baraspeshën, por rreziku përpara portës kundërshtare mungon. Nga ana tjetër boshnjakët menaxhojnë avantazhin e arritur dhe ia dalin mjaft mirë pasi në fund ndeshja përfundon në shifrat 1-0.
Një tjetër zhgënjim nga Tirana në Europë që mposhtes sërish pas dy disfatave nga Dudelange në eliminatoret e Champions League. /oversport.tv
Foto: HŠK Zrinjski Mostar, Facebook