Tirana zhgënjen në Luksemburg, Dudelange surprizon bardheblutë

by admin
Spread the love

Tirana zhgënjen në debutimin sezonal në Champions League, pasi është mposhtur 1-0 në Luksemburg nga Dudelange. Kjo përballje e bardhebluve në Europë është transmetuar live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Kampionët e Shqipërisë nuk kanë arritur që të tregojnë vlerat e tyre më të mira dhe janë ndëshkuar nga një gol i marokenit Mohcine Hassan në pjesën e dytë, që ka vulosur fatin e këtij takimi. Tirana ka reaguar vetëm në kohën shtesë, duke krijuar disa raste të mira, por pa arritur që të çojë topin në rrjetë.

Pjesa e parë ka qenë e luftuar nga të dyja skuadrat, por kanë munguar rastet e pastra për shënim. Me fillimin e pjesës së dytë Tirana rrit presionin dhe kërkon golin e avantazhit. Kirch largohet me karton të kuq, por bardheblutë nuk arrijnë që të shfrytëzojnë avantazhin numerik. Barazohet numri i lojtarëve në fushë, pasi Vesel Limaj merr dy kartonë të verdhë të njëpasnjëshëm dhe lë Tiranën me 10 lojtarë.

Pak minuta më vonë vendasit shokojnë bardheblutë, pasi gjejnë rrugën e rrjetës me Hassan. Ndonëse djemtë e Shehit mundohen që të reagojnë, bardheblutë janë të pafuqishëm për të vënë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare.

Ismailgeci dhe Seferi kanë mundësi të mira për të barazuar rezultatin në kohën shtesë, por nuk arrijnë që të çojnë dot topin në rrjetë.

Mbyllet 1-0 për Dudelange në “Stade Jos Nosbaum” me Tiranën që ka qenë shumë larg asaj që pritej prej saj. Bardheblutë u zgjuan shumë vonë, por gjithsesi kualifikimi do të vendoset pas një jave në ndeshjen e kthimit në Tiranë. / Oversport.tv

You may also like