Tirana “shkatërron” Laçin në sfidën për titull, Kukësi e Teuta bëjnë paqe

by admin
Spread the love

Tirana ka “shkatërruar” Laçin në supersfidën e kësaj jave në Superiore. Ekipi i Orges Shehit fitoi me poker ndaj kurbinasve me rezultatin 4-1.

Ishte Redon Xhixha që zhbllokoi rezultatin në minutën e pestë të takimit. Një gabim foshnjarak nga ana e Roganovic u shfrytëzua mjaft mirë nga lojtari i Tiranës duke e çuar topin në rrjetë. Pak minuta më vonë Najdovski kërceu më shumë nga çdo lojtar tjetër në zonë pas një goditje këndi duke dyfishuar rezultatin për vendasit.

Do të ishte sërish një gabim i mbrojtjes së Laçit që do të sillte edhe golin e tretë të Tiranës. Këtë herë gabon Velkoski që e çoi topin në këmbët e lojtarëve të Tiranës dhe Seferi nga shumë pranë portës realizoi dhe golin e tretë.

Pjesa e parë u mbyll me pokerin e Tiranës që u plotësua nga ai që nisi gjithçka, Redon Xhixha. Një përgjumje e Laçit bëri që Xhixha të dilte i vetëm përballë portierit ku nuk fali dhe e çoi rezultatin në 4-0.

Në pjesën e dytë, ekipi i Mirel Josës u përpoq të reagonte dhe e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 51. Një ndërhyrje e gabuar në zonë bëri që Bajramaj të akordonte një 11-metërsh pas konsultimit edhe me sistemin VAR.

Nga pika e bardhë u vendos Julian Shehu që e çoi topin në krahun e kundërt me portierin duke e ndalur në rrjetë. Kështu, Tirana shkëputet sërish në gjashtë pikë ndaj Laçit dhe ngjitet në kuotën e 49 pikëve.

Në sfidën tjetër të kësaj dite, Teuta dhe Kukësi u ndalën në një barazim 1-1 në shtëpinë e këtyre të fundit. Ishte Teuta ajo që realizoi e para me anë të Rubin Hebaj në minutën e 77-të.

Megjithatë, vendasit u kundërpërgjigjën në minutat e fundit të takimit me anë të Edi Bashës. Në limitet e zonës, Basha lëshoi një predhë që u ndal vetëm nga rrjeta e portës kundërshtare. Kështu u mbyll në paqe sfida midis dy ekipeve që ndanë nga një pikë në këtë takim. /oversport.tv

KATEGORIA SUPERIORE – Java 22
Tirana – Laçi 4-1
Shënues:
Xhixha 5’, 43’, Najdovski 19’, Seferi 28’ / Shehu (pen) 51’

Kukësi-Teuta 1-1
Shënues:
Basha 90’ /Hebaj 77’

Foto: KF Tirana Facebook

You may also like