Tirana i përgjigjet Laçit, dominon dhe mposht në “Air Albania” Egnatian

by admin
Spread the love

Tirana vazhdon marshimin drejt titullit pasi ka mposhtur në javën e 20 Egnatian me rezultatin e pastër 2-0. Djemtë e Orges Shehit e interpretuan mjaftë mirë lojën duke dominuar për 90 minuta dhe rivendosin sërish diferencën me Laçin e vendit të dytë në gjashtë pikë.

Ndeshja filloi vrullshëm në “Air Albania” me bardheblutë që shënuan që në minutën e 13-të. Redon Xhixha finalizoi një aksion model i cili bashkë me shokët e ekipit kombinuan mjaftë bukur në zona të ngushta. Xhixha më pas u shfaq i vetëm përballë portierit duke e çuar edhe topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë, Egnatia mbeti me dhjetë lojtarë në fushën e lojës pas ndëshkimit me karton të kuq të Imerit. Gjyqtari Kreshnik Cjapi u konsultua edhe me sistemin VAR dhe pas pamjeve, ai vendosi të nxirrte nga xhepi i tij kartonin e kuq.

Edhe pjesa e dytë nisi vrullshëm për Tiranën që gjeti sërish rrugën e rrjetës me anë të Xhixhës. Megjithatë, sistemi VAR anuloi golin për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Dyfishimi i rezultatit erdhi në minutën e 80-të me të sapofuturin në fushën e lojës Ëngjëll Hoti. Ai shënoi një supergol nga distanca duke i dhënë topin trajektoren perfekte për të mposhtur portierin kundërshtar.

Kështu, Tirana ngjitet në kuotën e 46 pikëve dhe qëndron e vetme në krye gjashtë pikë më shumë se Laçi. Egnatia nga ana tjetër, qëndron në vendin e parafundit në kuotën e 16 pikëve. /oversport.tv

ABISSNET SUPERIORE – Java 20
Tirana-Egnatia 2-0
Shënues:
Xhixha 13’, Hoti 80’

You may also like