Tirana fillon fluturimin në krye, fiton me “poker” ndaj Kukësit

by admin
Spread the love

Tirana kalon me lehtësi Kukësin dhe e thellon diferencën në nëntë pikë. Bardheblutë, me dopietat e Xhixhës dhe Seferit, si dhe pritjet fantastike të Bekajt kanë triumfuar përballë verilindorëve, duke thelluar edhe më shumë distancën me këta të fundit.

Një ndeshje fantastike, me ritëm të lartë dhe raste shënimi për të dy ekipet. Tiranës iu anluan me të drejtë edhe dy gola, shënuar nga Seferi. Pas përballjes së javës së 18-të, Tirana shkon në kuotën e 40 pikëve, 9 më shumë sesa Kukësi dhe Laçi që ka një ndeshje më pak.

Tirana dhe Kukësi e nisën ndeshjen me vendosje identike, 3-5-2, e cila në varësi edhe të momenteve të ndryshme të lojës, shndërrohej në një rreshtim mbrojtës me 5 në prapavijë. Taulant Seferi ishte protagonist që në startin e takimit.

Në fillim një inkursion i tij që asiston për Xhixhën, por anësori akordon një top të dalë jashtë vijave kufizuese. Më pas në minutën e 4-t, ishte sërish sulmuesi i Tiranës i cili pas një topi të gjatë futet në zonë dhe shënon, por këtë herë bashkë me konfirmimin e VAR, asistenti anësor anulon golin për pozicion jashtë loje. Bardheblutë, imponuan ritëm të lartë që në fillim.

Minuta e 14-të, regjistroi dy raste të rrezikshme në secilën portë. Në fillim, Seferi në një inkursion, futet në zonë pr nuk arrin të pasojë dot për Xhixhën që dilte në pozicion goditës. Disa sekonda më vonë, ishte Kukësi që provoi, por asgjë nga goditja e këndit.

Në të 18-ën, Tirana rrezikon fiollimisht me Limajn dhe më pas është Hoxhallari që godet rrezikshëm me kokë pas goditjes nga këndi.

Tirana krijon një rast fantastik për të zhbllokuar takimin, teksa Xhixha del në pozicion të volitshëm përballë portierit Xhika, por gjuajtja e sulmuesi gjen gardianin e Kukësit në super formë, që shmang një gol të sigurt. Kukësi përgjigjet me një inkursion të Ndrecës në të majtë dhe pasimi në qendër për Emiliano Mustën që gjuan tokazi, por Bekaj bën mrekullinë.

Protagonistë të dy portierët me reagime fantastike. Në të 39-tën minutë, Tirana gjen sërish një gol me anë të Taulant Seferit që shënon me kokë fare pranë portës, pas zhvillimit të një goditjeje nga këndi. Pas verifikimit në VAR, bardheblutë gëzojnë golin e 9-të sezonal të sulmuesit Seferi.

Në fund të pjesës së parë, Edison Ndreca futet në zonë, driblon disa nga mbrojtësit, gjuan tokazi por gjen Bekajn që bën reagim fantastik, duke shmangur një gol të sigurt. Kundërsulmi i vendasve është “vrastar”. Redon Xhixha niset në një kundërsulm të shpejtë, afrohet në zonë dhe me një gjysmë parabole, kalon portierin Xhika, për 2-0.

Tirana e nis në mënyrë identike edhe fraksionin e dytë. Seferi gjen rrugën e rrjetës në të 53-tën, por sërish i pavlefshëm për një pozicion jashtë loje.

Pas të 60-ës, Longo hedh në fushë edhe afrimin më të ri, Vasil Shkurtajn në vend të Bashës, i cili ishte thuajse inekzistent në këtë takim. Pikërisht kur pritej reagimi i verilindorëve, është ekipi kryesues që “vret” ndeshjen. Kundërsulm me Redon Xhixhën që niset, afrohet në zonë pas pasimit të Totres, driblon dhe me një harkim fantastik e dërgon sferën në trekëndëshin e Xhikës për 3-0, duke realizuar dopietën personale.

“Air Albania” shpërthen në ovacione dhe emri i Xhixhës oshëtin. Në momentin e zëvendësim, ka një “standing ovation” (duartrokitje nga të gjithë të pranishmit në stadium). Pas 3 golave, ka minuta edhe për përforcimin e bardhebluve, De Silva. Në minutën e parë të shtesës, Seferi plotëson “pokerin”, teksa në një kundërsulm, driblon edhe portierin Xhika për dopietën e tij personale që e çon në 10 numrin e golave të shënuar këtë sezon.

Tirana mposht Kukësin në duelin e drejtpërdrejtë për kryesimin, duke e thelluar diferencën në 9 pikë. Formë fantastike e kryeqytetasve, me dyshen Xhixha-Seferi, që udhëheqin kryeqytetasit. /oversport.tv 

ABISSNET SUPERIORE – Java 18 0
Tirana-Kukësi 4-0
Shënues: Seferi 39’, 90+1, Xhixha 44’, 64’

You may also like