Terrenet kthehen në problem, katër ekipe të Superiores gati të “shtegtojnë” në stadiume të tjera

by admin
Spread the love

Fushat ku do të zhvillohen ndeshjet e “Abissnet Speriore” mund të rikthehen në një problem për javët e ardhshme. Momentalisht Partizani, Kastrioti dhe Erzeni janë të detyruar të zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiume të tjera për shkak të infrastrukturës së munguar, por ky problem mund të shtohet edhe më shumë.

Në Durrës është parashikuar të mbillet bari i ri për të përmirësuar kushtet e “Niko Dovanës” çka detyron Teutën të bëjë gati valixhet për të udhëtuar provizorisht në një tjetër stadium. Ky ndryshim në “Niko Dovana” sjell një efekt domino edhe për ekipin e Erzenit i cili i zhvillon ndeshjet tek i njëjti stadium. Për këtë arsye edhe shijakasit duhet të “shtegtojnë” diku tjetër. Një alternativë për ekipet që të zhvillojnë ndeshjet është “Egnatia Arena” në Rrogozhinë, ose “Stadiumi Kamza”, një terren ku zhvillon ndeshjet Kastrioti i Krujës.

Bar i ri pritet të mbillet edhe në “Elbasan Arena”, fusha ku zhvillon ndeshjet Partizani. Megjithatë, këta të fundit mund të shfrytëzojnë stadiumin e ndërtuar në Kompleksin Partizani dhe në këtë rast më shumë se sa një shtegtim, për “Demat” është një rikthim në shtëpi, aty ku deri më tani ka zhvilluar një sfidë në Kupën e Shqipërisë ndaj Orikut.

Ndërhyrje do të ketë edhe në “Loro Boriçi”, stadiumi ku zhvillon ndeshjet Vllaznia. Shkodranët duhet gjithashtu të “emigrojnë” diku tjetër deri në përfundimin e punimeve në terren. Megjithatë, në këtë rast ndeshja e ardhshme e Vllaznisë që është projektuar në Shkodër përballë Tiranës, mund të luhet në kryeqytet. Ekipet mund të bien dakord që për shkak të kushteve të zhvillojnë ndeshjen e javës së 12-të në Tiranë, dhe më pas sfidën e fazës së tretë të projektuar në kryeqytet, ta zhvillojnë në “Loro Boriçi”.

Kujtojmë që të gjitha ekipet që duhet të zhvillojnë ndeshjet diku tjetër, nuk mund të përdorin terrenin e “Air Albania” për shkak se në të do të luajë Kombëtarja e Shqipërisë. Një problem që pritet të zgjidhet në javët e ardhshme, por në pamje të parë, mund të shkaktojë një kaos për ndeshjet e “Abissnet Superiore”. /oversport.tv

 

You may also like