Tërmetet joshëse për “like”, jo shumë frikë nga to

by admin
Spread the love

Tërmetet janë ndër fenomenet më të rrezikshme natyrore, por varësia nga rrjetet sociale ka bërë që shumë njerëz, më shumë se për sigurinë e vet dhe të familjarëve të kujdesen ta kenë të regjistruar me telefonat e tyre momentin e dridhjes së tokës. Kjo duke filmuar llambadarët e mobilet nëpër dhoma e zyra.

Psikologja, Miradije Statovci i ka dy shpjegime pse ndodh kjo, të paktën në rastin e Kosovës e rajonit.

“Tërmetet me intensitete të vogla dhe të shpeshta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni kanë bërë që njerëzit të mos kenë frikë nga dridhjet e tilla dhe se janë bërë imunë ndaj tyre”, thotë ajo për Klankosova.tv.

Prandaj, sipas saj, shoqëria bën edhe veprime të këtilla për të shpërndarë videot nga lëvizjet e gjësendeve përreth.

“Kështu merren me postime nëpër rrjete sociale se kush po merr më shumë ‘Like’ ose se kush po e poston i pari”, thotë Statovci.

Megjithatë, sipas sociologut Blerim Shabani, veprime të tilla lidhen edhe me mungesën e vetëdijes dhe informacionit për mënyrën se si duhet vepruar në kësi raste.

“Ka shumë individë që nuk janë të informuar se si ndodhin tërmetet, sa janë të rrezikshëm ato dhe cilat janë pasojat. Shpesh provojnë të bëjnë eksperimente duke provuar të krijojnë video. Duhet të ketë informim të gjerë publik se si duhet të sillemi për të mbrojtur vetën dhe eventualisht të tjerët kur jemi në shtëpi, banesë, ambient të hapur, veturë apo mjete lëvizëse e hapësira tjera”, thotë Shabani.

Se duhet të punohet më shumë lidhur me informimin e shoqërisë për këtë çështje, e thotë edhe njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, i cili sugjeron që edukimi shoqëror në Kosovë duhet të nis qysh në shkollën fillore për t’ua mësuar nxënësve se si duhet të mbrohen të paktën në momentet e para të tërmeteve.

“Qytetarët duhet të kenë sa më shumë njohuri, të mbahen trajnime e simulime për t’u përgatitur se si duhet reaguar, kur duhet lëvizur për në vendet e sigurta e si duhet ruajtur qetësia, sepse ka viktima për shkak të panikës sepse njerëzit nxitojnë të dalin shkallëve dhe pësojnë. Pra duhet që sa më shumë qytetarë të kenë informacione dhe njohuri për tërmetet”, thotë Ahmeti për KlanKosova.tv.

Mbase për shkak të numrit të vogël të tërmeteve nuk ka fushata informuese, por Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në webfaqen e saj ka informacione të detajuara se si duhet mbrojtur qytetarët nga tërmetet, se çfarë duhet të bëhet varësisht vendit, dhe si e ku ta bëhen lajmërimet.

 

The post Tërmetet joshëse për “like”, jo shumë frikë nga to appeared first on Klan Kosova.

You may also like