TEL AVIV – Nisin evakuimet përpara operacionit ushtarak të Izraelit në Rafah

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 25 prill /ATSH-DPA/- Operacioni i afërt ushtarak i Izraelit në Rafah, bastioni i fundit i mbetur i Hamasit në Gazë, do të fillojë me evakuimin e civilëve që mund të zgjasë deri në pesë javë, raportoi sot radioja izraelite “Kan”.

“Në këtë fazë të parë të operacionit tokësor, civilët në qytetin jugor pranë kufirit egjiptian do të zhvendosen në vende më të sigurta”, thuhet në raport.

Aleatët dhe kritikët e Izraelit i kanë kërkuar prej disa muajsh kryeministrit Benjamin Netanyahu të anulojë pushtimin e Rafahut, nga frika e viktimave masive civile.

Më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës janë strehuar atje. Rafah është gjithashtu vendi i kalimit kryesor përmes të cilit ndihmat hyjnë në territor.

Pavarësisht presionit që po bëhet mbi Izraelin, qeveria argumenton se duhet të vazhdojë me operacionin tokësor në mënyrë që të arrijë qëllimin e saj për të shtypur grupin militant palestinez Hamas.

Zyrtarët izraelitë thanë se islamikët kanë disa batalione të mbetura në Rafah që duhet të eliminohen në mënyrë që të parandalohet rigrupimi dhe sulmi i Hamasit.

Izraeli gjithashtu beson se disa nga pengjet e rrëmbyer gjatë masakrave të Hamasit të 7 tetorit në Izraelin jugor po mbahen në Rafah.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like