TEL AVIV – Blinken largohet nga Lindja e Mesme mes përpjekjeve të pasuksesshme për armëpushimin Izrael-Hamas

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 8 shkurt /ATSH-DPA/ – Raundi i fundit i diplomacisë i sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Lindjen e Mesme përfundoi sot me një takim të kabinetit te luftës të Izraelit.

Blinken u largua nga rajoni mes përpjekjeve të pasuksesshme për një armëpushim në Gaza që do të lejonte kthimin e pengjeve.

Diplomati i lartë amerikan, i cili ishte në udhëtimin e tij të pestë në Lindjen e Mesme që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, tha gjatë takimit me zyrtarët e kabinetit se fokusi ishte te pengjet dhe dëshira e madhe që SHBA-ja dhe Izraeli kanë për t’i parë ata të kthehen në familjet e tyre.

Turi i tij përfshinte ndalesa në Arabinë Saudite, Egjipt, Katar, Izrael dhe Bregun Perëndimor. Por, përpjekjet e tij për të siguruar një marrëveshje midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas ishin të pasuksesshme.

Tensionet midis qeverisë së SHBA-së dhe Izraelit u shfaqën plotësisht të mërkurën, kur Blinken i bëri thirrje Izraelit të moderonte operacionin e tij tokësor dhe ajror kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Ai tha se masakra e Izraelit e kryer nga Hamasi dhe ekstremistët e tjerë më 7 tetor nuk duhet të përdoret si një licensë për të çnjerëzuar të tjerët.

Por, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rikonfirmoi qëndrimin e ashpër të qeverisë së tij, duke thënë se e vetmja mënyrë për të liruar pengjet ishte të vazhdonte presionin e madh ushtarak ndaj Hamasit.

Netanyahu, duke kundërshtuar çdo marrëveshje për armëpushim me Hamasin, tha se ishte i bindur se një “fitore totale” mbi organizatën terroriste ishte e mundur brenda pak muajsh.

Luftimet vazhdojnë të zhvillohen në Rripin e Gazës, ku autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi tha sot se 130 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite brenda 24 orëve.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, numri i të vrarëve në brezin bregdetar është rritur në të paktën 27 840, ndërsa 67 300 të tjerë janë plagosur.

Ushtria izraelite raportoi luftime të reja të ashpra në perëndim të qytetit të Khan Younis në jug të Gazës.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, 14 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite gjatë natës në Rafah.

OKB-ja tha se më shumë se 1 milion njerëz aktualisht jetojnë në kushte të rënda në qytetin në kufirin me Egjiptin.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like