TE AVIV – Asnjë përparim në negociatat e pengjeve me Hamasin ​

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 24 janar /ATSH-DPA/ – Nuk ka ende asnjë përparim në negociatat për një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm.

“Informacionet për përparimin në negociata dhe për një pikë kthese  nuk janë të sakta dhe shumë boshllëqe mbeten ende. Gjithçka është shumë e ndërlikuar dhe ka një forcim të vazhdueshëm të pozicioneve të Hamasit. Askush nuk duhet të mashtrohet, do të duhet shumë kohë”, theksoi një burim izraelit, me shumë gjasa duke iu referuar mediave ndërkombëtare që flasin për një armëpushim 30-ditor.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi, numri i të vdekurve nga lufta ka arritur në 25 700.

Udhëtimi i ministrit të Jashtëm britanik David Cameron në Lindjen e Mesme do të fillojë sot në Izrael dhe do të vazhdojë në territoret palestineze, Katar dhe Turqi.

”Cameron pritet të mbajë bisedime të nivelit të lartë me liderët rajonalë për t’i dhënë fund asaj që ai e përshkroi si një situatë “të dëshpëruar” në Gaza”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme britanike.

Cameron do të fokusojë diskutimet në dërgimin e më shumë ndihmave në Gaza, lirimin e më shumë pengjeve dhe arritjen e një “armëpushimi të qëndrueshëm dhe të përhershëm”.

”Ministri i Jashtëm britanik do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe homologun e tij izraelit Israel Katz për të biseduar për ndihmën humanitare dhe viktimat civile në Rrip”, specifikon Londra.

”Cameron do të takohet gjithashtu me Presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez Mahmoud Abbas për të përsëritur mbështetjen e Britanisë së Madhe për një zgjidhje me dy shtete në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë krah për krah në paqe”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha mbrëmë se kishte vrarë mbi 100 militantë të Hamasit në 24 orët e fundit gjatë luftimeve të vazhdueshme në zonën perëndimore të Khan Yunis, në Rripin jugor të Gazës./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like