Tasulas dhe Xhaferi me gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit dhe komunikimit

by admin
Spread the love

Ky takim i parë do të jetë nxitje për komunikim dhe bashkëpunim të ndërsjellë më intensiv, porositi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Konstantinos Tasulas, i cili theksoi se parlamentet me të cilat kryesojnë “duhet ta tregojnë rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Tasulas dhe Xhaferi u takuan në Athinë, ku mbahet Konferenca e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa bëhet fjalë për takim të parë bilateral të kryetarëve të parlamenteve të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilën Xhaferi tha se është “moment historik” dhe “mundësi historike”.

“Kjo është mundësia e parë që të realizojë takim të drejtpërdrejtë me kryetarin e Parlamentit të Greqisë dhe kjo, faktikisht paraqet moment historik në bashkëpunimin mes dy shteteve, mes dy parlamenteve”, tha Xhaferi.

Ndërkaq, Tasulas i dëshiroi mirëseardhje Xhaferit në Athinë dhe e përshëndeti disponimin e tij për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“I dëshiroj mirëseardhje në Athinë dhe Greqi, por para se gjithash e përshëndes disponimin e tij, besoj të sinqertë për përmirësimin shtesë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mendoj se kemi obligim, që parlamentet tona me të cilat kryesojmë, ta tregojnë këtë rrugë”, porositi Tasulas.

Kryetari i Parlamentit grek, lidhur me Marrëveshjen nga Prespa, tha se marrëveshja e nënshkruar “duhet tërësisht të respektohet për përmirësimin e marrëdhënieve të dy popujve”, për çka theksoi se është optimist edhe pas takimit me Xhaferin edhe pas takimit me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë vizitës së tij në Greqi.

“Biseduam më konkretisht dhe analizuam mënyra në të cilat do të mund dy parlamentet të bashkëpunojnë përmes grupeve parlamentare për miqësi. Pas kontaktit tone bilateral, vlerësoj dhe ndjej se duhet t’i inkurajojmë këto marrëdhënie mes parlamenteve tona, pasi vetëm të mira mund të na sjellë përmirësimi i këtyre marrëdhënieve si dhe përmirësimi i klimës së bashkëpunimit mes vendeve tona, të cilët janë fqinjë të drejtpërdrejtë.

Edhe Xhaferi tha se kanë këmbyer mendime lidhur me realizimin e asaj që është dakorduar mes dy shteteve.

“Mbi ne bie tërë bara si kryetar të parlamenteve që t’i bëjnë të gjitha përpjekjet që ajo që është dakorduar të realizohet me praksë. Në të vërtetë, ne, pjesën që ishte në fazë të parë të realizimit të marrëveshjes e kemi realizuar dhe po realizohet në këtë moment. Gjithsesi, si rezultat të këtij bashkëpunimi dhe si rezultat të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes, del edhe besimi i ndërsjellë, me të cilin dha mundësi që fqinjët tanë të mbajnë llogari për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore, si hap i parë në besimin që del mes dy popujve, mes dy shteteve, si rezultat i Marrëveshjes nga Prespa”, tha Xhaferi.

Kryetarët e parlamentëve biseduan edhe për perspektivën Evropiane të Maqedonisë së Veriut, për çka Tasulas e përsëriti përkrahjen greke.

“I thash kryetarit se Greqia interesohet në tërësi për zhvillimin evropian të Ballkanit Perëndimor, politikë që e lansoi Greqia, Qeveria greke në vitin 2003 në Samitin në Selanik. Dhe tërë ky zhvillim i Ballkanit Perëndimor, që ka të bëjë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, si dhe Serbinë, e cila, gjithsesi është në faze të dytë, tërë ky zhvillim, duke e arritur qëllimin e vet, në fund do të sjellë dimension tjetër, historik dhe ekonomik në rajonin më të gjerë, ndërsa Greqia kuptohet do të jetë vend pioner me të gjitha këto iniciativa, si një nga anëtaret më të vjetra të Bashkimit Evropian”, porositi Tasulas.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ka shprehur falënderim për përkrahjen që e jep Greqia në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe zyrtarisht e ka ftuar kolegun e tij grek që ta vizitojë Shkupin.

“Edhe në këtë rast e përsërita ftesën që është dërguar paraprakisht dhe kjo do të paraqet nder të posaçëm që të takohem me kryetarin e Parlamentit të Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të ketë mundësi t’i drejtohet Parlamentit tonë në Shkup”, tha Xhaferi pas takimit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prej dje merr pjesë në Konferencën dyditore të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve – anëtare të Këshillit të Evropës, që mbahet në Athinë, ndërsa sipas agjendës, sot do të drejtohet me temë “Ardhmëria e përbashkët e të gjithë qytetarëve evropian”.

 

You may also like