Super Berisha dhe Belotti i japin fitoren Torinos, fundoset më shumë Salernitana

by admin
Spread the love

Torino ka arritur një fitore të vuajtur në transfertë kundër Salernitanës me rezultatin mininal 1-0. Ekipi i Juric arriti të rrëmbente tre pikët në këtë takim falë golit të Andrea Belotti me një 11-metërsh.

Salernitana e nisi takimin në sulm, ndërsa në minutën e tetë Simone Verdi provoi të prishte ekuilibrat e takimit. Megjithatë, sulmuesi italian u ndal nga gardiani i portës shqiptare, Etrit Berisha duke e lënë rezultatin të pandryshuar.

Ndërkohë që disa minuta më vonë, Torino pati edhe shansin e artë për të zhbllokuar rezultatin pasi fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë u vendos Belotti, por goditja e tij u ndal nga Seppe. Megjithatë, gjyqtari konstatoi një parregullsi duke e kthyer edhe njëherë penalltinë.

Një gjest ky që hapi shumë polemika, por arbitri ishte i palëvizur në vendimin e tij. Ishte sërish Belotti përballë Seppe, ndërsa këtë herë nuk gaboi duke goditur në të njëjtin krah.

Salernitana nuk e humbi toruan pas golit dhe menjëherë arriti të rrezikonte me Rodovanovic, por goditja e tij përfundoi jashtë. Nga ana tjetër, Vojvoda harkoi në zonë ndërsa goditja tokazi e Belottit u ndal nga Seppe.

Në minutën e 54-t Torino gjeti edhe golin që dyfishoi rezultatin me anë të Singo, por gjithçka u anulua nga sistemi VAR. Mbrojtësi i krahut ishte në pozicion të parregullt duke e bërë golin të pavlefshëm.

Berisha do të tregohej sërish vendimtar për Torinon, këtë herë në minutën e 65-të. Një goditje në brendësi të zonës nga Ederson detyroi portierin shqiptar të bënte një pritje fantastike duke mos e lejuar topin të shkonte në fundin e rrjetës.

Gjithçka u bë më e vështirë për Salernitanën pasi në minutën 85-të mbrojtësi Federico Fazio u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në minutat e fundit, Belotti lëshoi një predhë në drejtim të portës së Salernitanës, por në ndihmë të Seppes erdhi shtylla me rezultatin që mbeti i pandryshuar.

Kështu Torino arriti të marrë tre pikë të rëndësishme në këtë sfidë dhe ngjitet në kuotën e 38 pikëve. Salernitana nga ana tjetër shikon shpresat e saj të shuhen javë pas jave pasi me 9 ndeshje për të luajtur qëndron në vendin e fundit, 9 pikë larg zonës së mbijetesës. /oversport.tv

Foto: Torino Football Club, Facebook

You may also like