Sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës – Shqip

by admin
Spread the love

Në mesnatë, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Koosvës, të cilët ishin në shërbim zyrtar në Mitrovicën e Veriut.

Siç njofton Policia e Kosovës, rreth orës 02:20 të natës së sotme, në rrugën “Ivo Lola Ribar”, afër Qendrës Teknike për Kontrollin e Automjeteve në Mitrovicën Veriore, persona të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të zyrtarëve policorë të cilët ishin në detyrë.

“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në drejtim të punonjësve të policisë është hedhur një mjet shpërthyes, një bombë shokuese. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente policore dhe kriminale teknike dhe kanë kryer veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Sulm ndaj zyrtarit”, dhe po zhvillohen hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, pavarësisht veprimeve të tilla nga individë apo grupe të caktuara kriminale, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe kompetencave ligjore me qëllim të ruajtjes së rendit, garantimit të sigurisë së qytetarëve pa dallim.

Ky është një tjetër në serinë e sulmeve të kryera ditët e fundit në komunat në veri të Kosovës ku jeton popullata shumicë serbe.

Një natë më parë persona të panjohur në Leposaviq kanë djegur tre vetura në pronësi të shtetasve serbë. Së pari është djegur një veturë me targa RKS, me zjarrin që ka përfshirë edhe një veturë me targa të Beogradit që ka qenë afër, ndërsa në incidentin e dytë është djegur po ashtu një veturë me targa RKS.

Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, natën e 31 marsit, persona të panjohur kanë djegur tri vetura me targa RKS, në pronësi të serbëve, në tri vende të ndryshme në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.

Incidentet janë bërë më të shpeshta para zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potok dhe Leposaviqin, të cilat janë caktuar për 23 prill.

Këto zgjedhje fillimisht u shpallën për dhjetor të vitit të kaluar, pasi kryetarët dhe këshilltarët komunalë nga lista serbe u larguan nga institucionet e Kosovës në shenjë proteste për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e detyrueshëm të veturave me targa të Kosovës në vend të targave serbe. Vendimi që atëherë është shtyrë, ndërsa zgjedhjet janë zhvendosur për në prill për shkak të situatës së pafavorshme të sigurisë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk ka aplikuar për zgjedhjet e prillit, me arsyetimin se nuk është plotësuar kushti i tyre për kthim në institucionet e Kosovës, që përveç shtyrjes së vendimit për riregjistrim të automjeteve, të jetë dhe formimi i Unionit të Komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013. /tesheshi.com/

You may also like