Strehohen familjët e futbollistëve ukrainas, mundësi e mirë për klubet shqiptare

by admin
Spread the love

Sulmi i Rusisë për pushtimin e Ukrainës riktheu dhe vuri në alarm të gjithë kontinentin. Shumë vende janë sensibilizuar me popullin ukrainas, që po përpallet çdo ditë me agresionin e ushtrisë ruse, dhe janë munduar të strehojnë sa më shumë njerëz.

Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të japë kontributin e saj në këtë luftë dhe përmes një njoftimi zyrtar, pohon se po diskutohen detajet e fundit për strehimin e 100 familjeve të komunitetit të futbollit ukrainas.

“FSHF ka shprehur të gjithë gatishmërinë për të pritur rreth 100 familje nga komuniteti i futbollit ukrainas, që pritet të vijnë në Shqipëri për t’u strehuar për një periudhë të pacaktuar.

FSHF është në diskutime intensive me Federatën e Ukrainës për të planifikuar transportin, përzgjedhjen e familjeve, udhëtimin për në Shqipëri dhe deri tek akomodimi”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF së.

MUNDËSIA – Ky zhvillim mund të shkojë direkt në të mirë të skuadrave tona. UEFA dhe FIFA në vendimet e tyre zyrtare kanë njoftuar se gjithë lojtarët e skuadrave të ligave ukrainase dalin menjëherë lojtarë të lirë dhe mund të firmosin me klube të tjera.

Por për momentin është ende e paqartë nëse lojtarët, që pritet të zbarkojnë së shpejti në Shqipëri, mund të firmosin menjëherë klubet tona. Nëse do të jetë e lejueshme, Superiorja mund të marrë një rrjedhë tjetër dhe veçanërisht lufta në fundin e renditjes mund të bëhet më e zjarrtë.

Dihet që liga ukrainase është shumë më e fortë dhe një pjesë e lojtarëve që do të vijnë mund të jenë të aftë të bëjnë diferencën.

Me siguri askush prej tyre nuk dëshiron të qëndrojë pushim deri në fund të sezonit dhe një eksperiencë disamujore në Shqipëri, nuk do të ishte aspak keq.

You may also like