STRASBURG – PE shkarkon zëvendëspresidenten Kaili pas akuzave për korrupsion

by admin
Spread the love

STRASBURG,13 dhjetor /ATSH-DPA/- Parlamenti Evropian votoi sot në favor të shkarkimit të Eva Kaili nga posti i saj si zëvendëspresidente, pasi ajo u implikua në një skandal korrupsioni që ka tronditur institucionin e BE-së.

Mocioni u mbështet nga 625 ligjvënës të BE-së. Një deputet votoi kundër.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, shkroi presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola në Twitter.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet përkatëse kombëtare të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit”, shkroi ajo.

“Kaili dhe tre persona të tjerë u arrestuan me akuzat për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, sipas zyrës së prokurorisë belge.

Katër të dyshuarit akuzohen se kanë ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian në favor të organizatorit të Kupës së Botës, Katarit, në këmbim të parave dhe dhuratave.

“Disa qindra mijëra euro u sekuestruan në tre vende të ndryshme”, njoftoi dje zyra e prokurorit publik të Belgjikës.

Gjithsej janë kryer 20 kontrolle, duke përfshirë një bastisje në selinë e Parlamentit Evropian, në Bruksel për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Disa kërkime u bënë në Itali.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like