Stavileci: Për të gjithë punëtorët dhe të papunët të ndahen nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale

by admin
Spread the love

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci pëmes një konference për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për diskriminim të qytetarve lidhur me vendimet e fundit për përcaktimin e pagës minimale dhe ndarjes së 100 eurove për disa kategori, raporton Ekonomia Online.

Stavileci kërkoi që Qeveria të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.

“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve.Tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur akoma më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimi, zgjodhën goditjen e sërishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit.”, theksoi Stavileci.

PDK konsideron se qytetarët, me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro.

“Qeveria ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Por, a duan? Kjo mbetet në ndërgjegjen e tyre institucionale dhe elektorale.U diskriminuan shumë kategori. Nga ata që me 11 euro e 10 cent në muaj apo 37 cent në ditë nuk mund ta blejnë as një kilogram bukë në ditë e deri tek të papunët që edhe pse në numër të shumtë s’do t’i marrin as edhe këto 37 cent. Fatkeqësisht për këta qytetarë e të papunë, qeveria është në deflacion flagrant të vizionit, ideve, planeve dhe projekteve me të cilat këto kategori të rëndësishme do të përfitonin gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm për një muaj të vetëm, e edhe ashtu me vlerë diskrimuese dhe të pamjaftueshme.”, tha Stavileci.

Stavileci tha se me këto vendime qeveritarët edhe një herë dëshmuan se vendosën për formula ad-hoc, me shumë variabla të pazgjidhshme, por me vetëm një konstantë: DISKRIMINIMI I SHUMË KATEGORIVE DHE I TË PAPUNËVE.

“Pra, në vend të mbështetjes meritore zgjodhën lëmoshën. Në vend të ndihmës për të papunët zgjodhën diskriminimin dhe harrimin e tyre. Në vend të barazisë sociale zgjodhën thellimin e hendekut të pabarazisë sociale. E kur vetveten e kanë futur në kurthin e premtimeve të veta të rrejshme, e pakta që mund ta bëjnë është që të vazhdojnë për të gjithë punëtorët të ndajnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pagave dhe të ligjit për pagën minimale në vend.”, shtoi ai.

Gjoshi: Qeveria diskriminoi Veteranët e UÇK-së, paga për ta në nivelin e pagës miniale

Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës e quan të papranueshme diskriminimin që Qeveria Kurti po ua bën veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ditë më parë, në vendimin për ta bërë pagën minimale në 250 euro, Qeveria Kurti i ka përjashtuar tërësisht veteranët.

“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, të përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, të cilat kanë obligime ligjore dhe morale ndaj tyre. Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj.”, ka thënë Betim Gjoshi, sekretar për organizim dhe zgjedhje i PDK-së.

Sipas Gjoshit, veteranët e UÇK-së po braktisen nga kjo Qeveri, e cila qysh në fillimet e saj ka treguar hapur se nuk e pranon dhe nuk e njeh rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Para disa ditësh, Qeveria Kurti ka vendosur që paga minimale të jetë 250 euro. Përveç se kjo vlerë nuk është në përputhje me shtrenjtimin enorm të jetës së qytetarëve, ajo edhe i përjashton krejtësisht veteranët. Është edhe fakt i diskriminimit të një kategorie që respektohet në çdo vend të botës, por jo edhe në Kosovën e Qeverisë Kurti 2. “, ka shtuar Gjoshi.

Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje i ka bërë thirrje Kryeministri Albin Kurtit dhe Ministrit të tij të Financave, Hekuran Murati, që të mos e lexojnë vetëm një nen të ligjit të ndryshuar për veteranët e UÇK-së, me të cilin është fshirë neni 18 i ligjit paraprak që e përcakton pagën e veteranit të UÇK-së jo më pak se paga minimale.

“Kurti dhe Murati nuk duhet ta lexojnë vetëm pjesën e ligjit që iu pëlqen atyre, por duhet ta lexojnë në tërësi ndryshimet e bëra në këtë ligj. E, sipas këtyre ndryshimeve, Qeveria duhet ta themelojë Komisionin për kategorizimin e veteranëve si dhe të nxjerrë aktet nënligjore për ta bërë këtë. Por, asnjë nga këto punë nuk i ka bërë kjo Qeveri dhe nuk po i merr parasysh as në procesin e ndryshimit të bazës ligjore për pagën minimale.”, ka thënë Gjoshi.

Pikërisht, për këtë arsye, Partia Demokratike e Kosovës ka përpiluar disa propozime dhe hapa konkret që Qeveria duhet të marrë urgjentisht, për t’ua kthyer dinjitetin burrave dhe grave që ishin pjesë e UÇK-së.

“1. PDK-ja propozon që Qeveria duhet te vazhdoj të ju ndajë veteranëve pagë, së paku në lartësinë e pagës minimale, derisa të bëjë kategorizimin e tyre. 2. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të nisë menjëherë pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së dhe kategorzimin e tyre. Ashtu siç kemi thënë shumë herë, me këtë hap jo vetëm që do të ndaloheshin përfitimet financiare për mashtruesit, por do t’i bënim nderë edhe historisë, duke larguar mashtruesit e falsifikatorët nga historia e UÇK-së, të cilës nuk i kanë takuar asnjëherë. 3. Partia Demokratike e Kosovës e fton Kryeministrin Albin Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fjalët e vartëses së tij, si mund t’i thotë vetes veteran dikush i cili nuk e ka veshur asnjë minutë uniformën e UÇK-së?! Prandaj, Kryeministri Kurti duhet t’i jap fund mashtrimit të tij se ka qenë pjesë e një historie pa i takuar kurrë asaj.”, ka thënë Gjoshi.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se procesi i pastrimit të listave, që të jetë i drejtë, duhet të nisë pikërisht nga Kryeministrit Albin Kurti. Nëse ai heq dorë vullnetarisht nga të qenit veteran i rrejshëm i UÇK-së, shembullin e tij mund ta ndjekin edhe të tjerët që nuk e meritojnë këtë status.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenaria jonë kombëtare e historike. E kemi për detyrë secili që ta mbrojmë dhe lartësojmë emrin e saj.”, ka përfunduar Gjoshi.

You may also like