Spasovski me lëvdata për policët – Shqip

by admin
Spread the love

NË BLAGOEVGRAD GJUHET ME GURË KLUBI MAQEDONAS

Policia bullgare është në kërkim të personave të cilët mbrëmë i kanë thyer dritaret e klubit kulturor maqedonas në Blagoevgrad. Kjo ka ndodhur të njëjtën ditë kur një grup shtetasish bullgarë, për shkak të problemeve teknike, nuk arritën ta kalojnë kufirin dhe të mbërrijnë në Shkup për të marrë pjesë në shënimin e 151-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit. Tre shtetas bullgarë u arrestuan për shkak të fyerjes së policisë së Maqedonisë së Veriut. Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot ka uruar pjesëtarët e policisë të Maqedonisë së Veriut, e cila nuk lejoi që tensionet në realcionin Shkup-Sofje të eskalojnë.

Vetëm disa orë pas nderimit në varrin e Goce Dellçevit, dje në Shkup, kur lule vendosi edhe delegacioni qeveritar bullgar, por jo edhe qytetarët bullgarë të cilët për shkak të problemit teknik në kontrollin kufitar maqedonas nuk hynë në vend, në Blagoevgrad u thyen dritaret e klubit maqedonas “Nikolla Vapcarov”.

“Akti vandal është kryer mbrëmë, kur persona të panjohur me gurë kanë gjuajtur drejt objektit.”

Tre Bullgarët e arresstuar, për shkak të fyerjeve të policisë kufitare të Maqedonisë së Veriut, sot në mëngjes janë kthyer në vendin e tyre, me ndalesë për hyrje në Maqedoninë e Veriut në kohëzgjatje prej tre vjetësh dhe dënim në para prej 300 eurove, të shqiptuara në gjykatën në Kriva Palankë. Përndryshe Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot e lavdëroi policinë për përpjekjet që dje të parandalohet çfarëdoqoftë incidenti në varrin e Dellçevit në Shkup, por edhe në vendkalimet kufitare.

“Policia maqedonase me sukses e realizoi këtë ngjarje të shkallës më të lartë të sigurisë, shembull eklatant për atë si vepron policia e rangut evropian. Policia maqedonase nuk do të lejojë nënçmimin e popullit maqedonas” – tha Oliver Spasovski.

Nga ana tjetër, Ministria Bullgare e Punëve të Jashtmë, ka vlerësuar se shënimi i 151-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, revolucionarit të fillimit të shekullit të 20-të, të cilin edhe Bullgaria, edhe Maqedonia e Veriut e konsiderojnë pjesë të historisë së tyre kombëtare, nuk ka kontribuar për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mes Sofjes dhe Shkupit. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Biljana Gjeorgjievska

TI RAPORTON!

You may also like