SOFT NEWS – HSI kontrollon banesat e Diddy mes akuzave për ngacmime seksuale

by admin
Spread the love

TIRANË, 27 mars /ATSH/- Avokati i Sean “Diddy” Combs, i cili është objektivi i një hetimi federal, ka folur për kontrollet që u zhvilluan në dy nga shtëpitë e muzikantit, sipas CNN.

“Dje, pati një mbipërdorim të madh të forcës në nivel ushtarak, pasi urdhërat e kërkimit u ekzekutuan në rezidencat e Combs. Nuk ka asnjë justifikim për shfaqjen e tepruar të forcës dhe armiqësisë nga autoritetet apo mënyrën se si u trajtuan fëmijët dhe punonjësit e tij”, tha Aaron Dyer, avokati i Diddy.

“Autoritetet kontrolluan të hënën shtëpitë e Combs pasi ai po i nënshtrohet një hetimi federal të kryer nga një ekip i Departamentit të Sigurisë Kombëtare që merret me krimet e trafikimit të qenieve njerëzore”, sipas një zyrtari të lartë të zbatimit të ligjit federal.

Hetimi po udhëhiqet nga prokurori amerikan për Distriktin Jugor të Nju-Jorkut dhe kryhet nga Divizioni i Krimit të Organizuar Transnacional i Departamentit të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI).

HSI është përgjegjëse për hetimin e krimit dhe kërcënimeve transnacionale, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmin, kontrabandën e narkotikëve dhe aktivitete të tjera kriminale të organizuara.

Hetimi buron nga shumë prej të njëjtave akuza për ngacmime seksuale të paraqitura në disa padi civile kundër Combs. Këngëtari amerikan i ka mohuar këto akuza.

“Ekipet e armatosura rëndë të agjentëve të HSI-së kontrolluan të hënën shtëpitë e Combs në Los Anxhelos dhe në zonën e Majamit – disa të hipur në automjete të blinduara, pjesërisht pasi autoritetet besonin se Combs përdorte siguri private të armatosur në secilën prej rezidencave të tij”, sipas një burimi.

Agjentët u autorizuan të kërkonin dokumente, telefona, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mbanin të dhëna ose video.

Një burim i zbatimit të ligjit tha më herët se kërkimet e së hënës kishin të bënin me një hetim të vazhdueshëm të trafikimit seksual.

HSI në Nju-Jork tha se kishte ekzekutuar veprimet e zbatimit të ligjit si pjesë e një hetimi në vazhdim në bashkëpunim me njësitë vendore të zbatimit të ligjit dhe HSI në Los Anxhelos dhe Majami për të siguruar informacione të mëtejshme.

Pavarësisht spekulimeve të medias, as Combs dhe asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk janë arrestuar.

“Nuk ka asnjë konstatim të përgjegjësisë penale apo civile me asnjë nga këto pretendime. Combs është i pafajshëm dhe do të vazhdojë të luftojë çdo ditë për të pastruar emrin e tij”, tha burimi. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like