Skënder Gega: Pikë e rëndësishme, ju tregoj si e kam qetësuar Zguron

by admin
Spread the love

Skënder Gega debutoi në krye të Skënderbeut me një barazim 0-0. Tekniku pas ndeshjes kundër Laçit tha: “Duke parë situatën e Skënderbeut, mund të them se ka qenë një javë e vështirë. Unë jam munduar të kontribuoj me eksperiencën time.

Mund të them se ishte shumë e rëndësishme të merrnim këtë pikë, pasi përballeshim me një ekip shumë të fortë, që ka krijuar tashmë një strukturë. Ndaj jam i kënaqur me atë që dhamë në fushën e lojës”.

“Futbollistët e Skënderbeut janë të rinj dhe natyrisht e ardhmja, por koha është shumë e shkurtër dhe nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha. Unë jam munduar që të përqendrohem te puna e Memellit dhe të kontribuoj për të përforcuar edhe më shumë ekipin.

Është një sfidë e vështirë, por stimuluese, pasi ky është profesioni ynë dhe për më tepër, më pëlqen ambienti në këtë klub dhe shpresoj të bëjmë mirë edhe në fushë”, tha në vijim Gega për Supersport.

“Sot Zguro nuk pati asnjë faj, por ndoshta një opinion për të kaluarën ndikoi. Megjithatë unë i besoj Zguros dhe kam punuar shumë me të këto tri ditë. Sot nuk pati asnjë faj, por e nxora për të mos tensionuar situatën. Kam folur me të gjithë, por më gjatë jam ndalur me Zguron.

I kam kërkuar respekt për veten, për fanellën, por edhe për mua, ndaj sot ka qenë si asnjëherë më parë në aspektin e korrektësisë. Zguros i kam thënë që nuk mund të jesh më i stresuar se Ardian Takaj, pasi do marrësh pjesën tënde dhe do kontribuosh me atë që ke mundësi. Të gjithë duhet të kontribuojmë me eksperiencën tonë dhe të shohim a do t’ia dalim”, përfundoi trajneri i Skënderbeut. / oversport.tv

You may also like