Skenarët e një lufte Ukrainë-Rusi, Spartak Ngjela paralajmëron goditjen që do të tronditë Vladimir Putin

by admin
Spread the love

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet në Lindje të Evropës, ku tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë arritur kulmin, duke bërë që lufta tashmë të jetë “te dera”.

Ngjela shkruan se Putin po kërkon të bëjë një luftë qesharake. Ai tha se Putin do të rrëzohet nga pushteti.

ANALIZA E NGJELËS:

“Nuk kam parë deri më tani në historinë e kombeve një luftë kaq qesharake sa kjo që po kërkon të bëjë aktualisht cari i Rusisë: Vladimir Putin.

I gjithë dështimi i kësaj politike ka dhjetë kontradikta të brendshme, të cilat na çojnë te idea e rrëzimit politik të Vladimiri Putinit.

Kontradikta e parë e këtij qerthulli me kërcënime lufte është kjo:

Ore zotëri! kur ti ke forcën e një lufte që vetë po e kërcënon; përse duhen fjalët?

E dyta: Ai që ka forcën nuk kërcënon kundërshtarin por i tregon atij vendin.

E treta: Që të kesh forcë dominante kundër Ukrainës duhet të kesh forcë kundër Amerikës dhe Gjermanisë.

E katërta: Që të shpallësh një luftë kundër Amerikës; duhet të kesh para. Kurse Rusia është në një krizë financiare.

E pesta: Që t’i shpallesh luftë Ukrainës duhet të kesh mundësi të përballosh forcën ushtarake, financiare dhe gjeopolitike të Amerikës. A e ka Rusia këtë mundësi? Kjo është pamundësi absolute.

E gjashta: Që të jesh një politikan i madh i një vendi të madh, nuk duhet ta arrish madhështinë tënde nga madhësia e vendit që drejton; sepse bëhesh qesharak. Njëlloj si Putini në këta muajt e fundit, që, duke dashur të kërcënojë të fortin nga pozitat e të dobtit; i ka dhënë mundësi politikës amerikane që, me një intrigë brilante, ta fusë Putinin brenda një sistemi rropatës; duke i dhënë të kuptuar atij se Amerika po trembet.

E shtata: Putini, nëse vijon kështu, kur të kthejë kokën mbrapa, do shohë se ka drobitur Rusinë.

E teta: Putini, si çdo diktator, nuk mund të tërhiqet nga loja e tij; sepse nuk mund të pranojë dështimin.

E nënta: Shkatërrimi personal i Putinit nuk mund të vijë bashkë me shkatërrimin e Rusisë; prandaj do shkatërrohet Putini për të mos u shkatërruar Rusia.

E dhjeta: Ku ishte sekreti i kësaj politike ruse kaq kontradiktore?

Politika amerikane dhe NATO e shtynë politikën e Ukrainës që kjo të kërkonte antarësimin e saj në NATO. Putini e konceptoi këtë antarësim si fundin e tij; prandaj kërcënoi Ukrainën me luftë; dhe këtu po kuptohet se, sipas kontradiktave që shprehëm më lart: Putini, në vend që të kapte suksesin e tij, po kap shkatërrimin e vetvetes.”, ka shkruar Ngjela.

You may also like