Sjellja e Serbisë e ka bllokuar progresin në dialog

by admin
Spread the love

Pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje për targat të enjten në Bruksel, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se sjellja e Serbisë e ka bllokuar progresin në dialog.

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun e saj letonez, Osmani tutje tha se Kosova ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç është kërkuara nga BE-ja.

“Jo vetëm marrëveshja për targat, por edhe marrëveshje të tjera të cilat ne si Republikë e Kosovës i kemi shtyrë përpara në përputhje të plotë me parimet dhe standardet më të larta evropiane, për fat të keq janë bllokuar nga ana e Serbisë për një arsye të vetme, sepse Serbia nuk po i pranon këto parime dhe këto standarde evropiane”.

“Për fat të keq që nga viti 2011, më shumë se 10 vjet që kur ka filluar dialogu, Serbia edhe kur ka nënshkruar marrëveshje ka refuzuar t’i zbatojë ato në terren sidomos marrëveshjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, duke shkaktuar probleme të mëdha për qytetarët të cilët duhet të udhëtojnë dhe për bizneset që dëshirojnë të bëjnë biznes. Kosova ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar BE në përputhje me kriteret dhe parimet e standardet e BE-së, por s’mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po e shkakton Serbia”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

“Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje. Ajo që mund t’iu siguroj është se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia, është çështje e tyre, por sjellja e deritanishme vetëm se e ka bllokuar progresin në dialog”, shtoi presidentja.

You may also like