Situatë e rëndë në Algjeri, zjarret vrasin 25 persona! SHBA-ja përballet me dy ekstremitete: Temperatura të larta dhe përmbytje

by admin
Spread the love

Algjeria po përballet me situatë të rëndë të zjarreve, të cilat i kanë marrë jetën të paktën 25 personave, duke përfshirë 10 ushtarë që po përpiqeshin të vinin nën kontroll flakët përballë erërave të forta dhe temperaturave përvëluese të verës.

Të paktën 1,500 banorë u evakuuan, ndërsa dhjetëra persona mbetën të lënduar, gjendja e të cilëve nuk dihet ende. Ministria e Brendshme ka kursyer detajet, për situatën e zjarreve masive, përfshirë edhe raportin për ekipet e shpëtimit në terren.

Flakët kanë vazhduar të përhapen prej disa ditësh, të ndihmuara edhe nga era e fortë që i përhapi drejt pyjeve dhe zonave bujqësore, duke prekur 16 rajone.

Operacionet për shuarjen e zjarreve përfshinë rreth 7,500 zjarrfikës dhe 350 kamionë në terren, si dhe mbështetje ajrore.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë ekstremitete të motit, përfshirë temperaturat e larta dhe përmbytjet.

Vala e të nxehtit ka lënduar qindra persona, që u paraqitën në spital me djegie të rënda, të shkaktuara nga kontakti me objekte apo sipërfaqe të nxehta.

Nga ana tjetër Kanadaja e cila po luftonte me zjarre masive, tashmë po përballet me përmbytje të rënda, për shkak të shirave të vazhdueshme.

Dëmet konsiderohen të rënda, por ende nuk ka një bilanc përfundimtar. Përmbytjet shkatërruan rrugët, dobësuan urat dhe përmbytën ndërtesat.

Një viktimë u shënua edhe në Zvicër, pasi stuhia e fuqishme rrëzoi vinçin në zonën e stacionit të trenit. Sipas shërbimit meteorologjik të Zvicrës, ishte një tornado e kombinuar me një stuhi të masës ajrore. Në disa zona u rrëzuan pemë dhe u dëmtuan çatitë e ndërtesave. Ndërkohë raportohet për probleme edhe me linjat e trenave.


Top Channel

You may also like