Situatë e rëndë mes Izraelit dhe Hamasit! Netanyaho: Sulmet në Gaza sapo kanë nisur

by admin
Spread the love

Gjendja sa vjen dhe rëndohet më tej, pasi si Izraeli ashtu edhe Hamasi vijojnë me sulmet intensive duke goditur vazhdimisht.

Teksa Izraeli ka paralajmëruar për një operacion intensive kundër Hamasit në Gaza, nivelet e shkatërrimit janë shumë të mëdha dhe bilanci i viktimave po rëndohet më tepër me kalimin e orëve.

Deri më tani raportohet se janë vrarë 900 izraelitë dhe 687 palestinezë, që nga shpërthimi i sulmeve gjatë së shtunës, fillimisht nga  militantët e Hamasit, e më pas nisi hakmarrja e Izraelit.

Së fundmi kryeministri izraelit Benjamin Netanyaho dha një deklaratë të drejtpërdrejtë nga Tel Avivi ku u shpreh se sulmet kundër Hamasit në Gaza sapo kanë nisur. Ndër të tjera ai shtoi se në fund të luftës, armiqtë do ta kuptojnë se ishte një gabim i tmerrshëm sulmi ndaj Izraelit.

“E vetmja gjë që është më e rëndësishme është të qëndrojmë të qetë. E di që të gjithë duam rezultate pikërisht këtu, tani, por do të duhet pak kohë. Unë ju premtoj qytetarëve, në fund të luftës, armiqtë tanë do ta kuptojnë se ishte një gabim i tmerrshëm sulmi ndaj Izraelit. Çdo vend ku Hamasi vepron do të kthehet në rrënoja. Kjo tashmë po ndodh dhe do të vazhdojë të ndodhë”, tha ai.

Hamasi ka kërcënuar se do të vrasë personat e marrë peng nëse ushtria izraelite kryen sulme ajrore në Rripin e Gazës, që synojnë banorët pa dhënë asnjë paralajmërim paraprak.

Forcat izraelite kanë kryer sulme ajrore me avionë dhe raketa në qindra objektiva të Hamasit në Rripin e Gazës. Por e njëjta situatë është ndjekur edhe nga Hamasi, që po ashtu po ritregon vendosmërinë për të vijuar sulmet ndaj territoreve të Izraelit.

Ky i fundit po lëviz çdo gurë të mundshëm për të arritur marrjen e situatës nën kontroll, ku më i fundit është urdhri për të bllokuar totalisht qarkullimin e ushqimeve, ujit dhe energjisë elektrike në Gaza.

Bashkimi Europian po ashtu është vënë në lëvizje duke pezulluar të gjitha ndihmat e saj për Palestinën, pas nisjes së sulmeve, që po agravojnë gjithnjë e më shumë.

Teksa autoritetet izraelite i kanë shpallur luftë militantëve të Hamasit, ka thirrur rreth 300 mijë ushtarë rezervistë si përgjigje ndaj sulmit të befasishëm.

Forcat e Mbrojtjes izraelite njoftuan se janë duke kryer sulme edhe brenda territorit libanez. Ndërkohë pretenduan se kanë vrarë sulmues të infiltruar të armatosur në kufi.


Top Channel

You may also like