Sinergji kreative në vend të “kacagjelimeve” boshe

by admin
Spread the love
Bardhyl Zaimi

Kjo filozofi politike e konstantave dhe e ngadalësisë kërkon këmbëngulësi argumentesh, të cilat klasa politike në Kosovë i posedon pafundësisht. Janë argumente të dinjitetit, sovranitetit, të vullnetit demokratik dhe politik historik, që janë në përputhje të plotë me gjithë sistemin e vlerave të kultivuar nga Perëndimi. Në shikim të parë kjo mund të duket e pamundshme dhe tepër oportune, por, realisht, vetëm kjo qasje e vëmendshme, gjithëpërfshirëse, këmbëngulëse dhe moderne në artikulim e klasës politike në Kosovë mund të sigurojë pozicion të favorshëm përballë një Serbie retrograde.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Nuk ka dilema që Kosova edhe njëherë gjendet në një situatë ambivalente, e cila determinohet nga shumësi faktorësh nga e kaluara, por edhe nga zhvillimet globale që tashmë kanë krijuar një kontekst tërësisht tjetër gjeostrategjik. Analistë të vëmendshëm kanë theksuar se në gjithë këtë situatë duket se faktori ndërkombëtar po ushtron një lloj presioni dispropocional për zhvillimet më të fundit, duke e orientuar gjithë presionin mbi Kosovën, gjegjësisht mbi qeverinë Kurti. Mbetet shumë e rëndësishme që të kuptohet realisht kjo situatë, në mënyrë që brenda kohës të kahëzohet veprimi politik në drejtim të gjetjes së një ekuilibri politik dhe diplomatik që do të shkonte përtej antagonizmave ordinere politike që shfaqen në formë partizanie partiake ose në forma tjera ndikimesh të pavërejtshme.

Mbetet fakt i pamohueshëm që në hapësirën publike është krijuar një antagonizëm që nënkupton dy taborë. Në njërën anë kemi taborin që kërkon ngultas të ruhet aleanca me bashkësinë ndërkombëtare, me gjithë ata që i vunë vulën pavarësisë së shtetit të Kosovës, dhe në taborin tjetër kemi një ndjeshmëri tjetër që kërkon më çdo kusht që sovraniteti i shtetit të shtrihet në gjithë territorin e shtetit, pavarësisht nëse me këtë mund të lëkunden dhe të hyjnë krejtësisht në një fazë tjetër marrëdhëniet me aleatët, të cilët e kanë mbështetur Kosovën që nga koha e shpërfaqjes së brutalitetit policor dhe ushtarak serb gjatë kohës kur në skenë ishte kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Janë dy diskurse që e dominojnë skenën politike në Kosovë dhe të cilat realisht janë kundërvënëse dhe më të zëshme në hapësirën publike. Sigurisht që situata në asnjë rast nuk mund të shihet bardh e zi për shkak se gjithë peizazhi shfaqet më i komplikuar dhe me shumë të panjohura. Mbetet tërësisht legjitime dhe demokratike të kërkohet shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës, ndërkohë që gjithashtu pa ngarkesat e shfaqura, po ashtu mbetet legjitime dhe esenciale për fatin e Kosovës që të ruhet partneriteti me miqtë ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar aq shumë në pavarësinë e Kosovës.

Politika nuk është algoritëm “po ose jo”. Nuk është sistem binar mbi të cilën mund të stampojmë euforitë tona apo partizanitë tona të çastit. Politika mbetet art i vështirë i së mundshmes, strategji e mirëmenduar që ruan konstantat e angazhimit demokratik, vullnetin politik të shumicës së qytetarëve. Për më tepër, politika moderne nuk i njeh skemat e tipit “me ne ose me ata”, por, përkundrazi, kultivon brenda vetes aspiratat historike të një kolektiviteti, vullnetin e tij për rrojtje me kuptim në gjeografinë historike, më gjithë atë që përshpirtshëm njihet si atdhe. Sigurisht, gjithnjë ekziston një mospërputhje mes këtij idealiteti politik dhe real-politikës, që brenda “ligjësive” të veta përfshin interesa, kontekste, riformatime, por edhe urgjenca shpërfillëse gjeopolitike.

Në gjithë këtë situatë ngutjesh të pafundme, që diktohen nga urgjencat gjeostrategjike, siç është me të drejtë rasti me luftën në Ukraina, durimi duket se mbetet “arma” më e fortë që mund ta posedojë një klasë politike. Pa diskutim gjithnjë mendojmë në një lloj durimi veprues që brenda këtyre kushteve të disfavorshme arrin ta formësojë një vizion politik të tërësuar, që i përgjigjet vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës dhe interferencës së padiskutueshme me miqtë ndërkombëtarë, gjithnjë duke e ruajtur brenda matricës së mendimit dhe veprimit idealitetin politik të legjitimitetit historik.

Kosova, pa, diskutim, e ka një model të tillë vizionar, pavarësisht nga kritikat që mund të jenë shfaqur dhe interpretimet e ndryshme që i janë bërë këtij modeli. Ky model është esencë kolektive durimtare e popullit të Kosovës për vite me radhë, që më pas u mishërua në figurën e presidentit historik, Ibrahim Rugovës. Sigurisht, do të ishte iluzore të kërkohen ngjashmëri në një kontekst krejt tjetër, por në esencë dhe si filozofi ky model mund të kultivohet me mbindërtime të tjera paradigmatike, që i përgjigjen një situate dramatike në të cilën ndodhet Kosova. Modelet në asnjë rast nuk duhet të merren si dobësi. Përkundrazi, duhet të shihen si një bazë për të artikuluar projeksione të tjera politike nëpërmjet figurave të reja aktuale politike. Dhe, kjo në asnjë rast tashmë nuk e nënkupton “njëshin” e një konteksti të domosdoshëm politik, por frymën që mund të inkarnohet në politikëbërje nga një klasë e tërë politike.

Kjo mbase mund të jetë rruga e tretë e veprimit politik shqiptar, që bazohet thellësisht në këto cilësi politike tashmë të verifikuara dhe që mund të inkarnohen si përmbajtje politike në kontekstin e dhënë historik, kur realisht ndodhemi përpara paradoksit historik që nënkupton ndërrim rolesh mes viktimës dhe xhelatit. Pikërisht, në kuadër të këtij paradoksi, mbetet kaq e rëndësishme që të kultivohet me vullnet vigan politika e durimit, e ngadalësisë, e argumentimit të pafundmë dhe të vështirë të gjithë asaj që nënkupton e drejtë historike e një populli që ka vuajtur pambarimisht nën hijen e asgjësimit gjenocidal, ashtu siç është theksuar tashmë nga analistë shqiptarë dhe të huaj.

Kjo filozofi politike e konstantave dhe e ngadalësisë kërkon këmbëngulësi argumentesh, të cilat klasa politike në Kosovë i posedon pafundësisht. Janë argumente të dinjitetit, sovranitetit, të vullnetit demokratik dhe politik historik, që janë në përputhje të plotë me gjithë sistemin e vlerave të kultivuar nga Perëndimi. Në shikim të parë, kjo mund të duket e pamundshme dhe tepër oportune, por, realisht, vetëm kjo qasje e vëmendshme, gjithëpërfshirëse, këmbëngulëse dhe moderne në artikulim e klasës politike në Kosovë mund të sigurojë pozicion të favorshëm përballë një Serbie retrograde, që po përpiqet të improvizojë një gatishmëri dialogu përpara bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo qasje dhe kjo ndjeshmëri mund t’i tejkalojë antagonizmat boshe brenda opinionin në Kosovë dhe, përgjithësisht, shqiptar. Kjo qasje, kjo frymë, ky vizion mund t’i shkrijë taborët e panevojshëm dhe mund të zhbëjë “thepat” e rrezikshme të kacagjelimeve shqiptare, për t’u futur më në fund në një paradigmë tjetër sinergjie, që njeh bashkëpunimin dhe bashkëveprimin. Është luks i madh që në këtë situatë shqiptarët të jenë të ndarë më dysh. Është gabim fatal të lëshohemi në histeri taborësh në kohën kur real-politika imponohet pamëshirshëm në ridizajnimet gjeostrategjike që shkojnë përtej vogëlsisë sonë.

Mbetet tepër e rëndësishme që në gjithë këtë situatë të kemi parasysh finalitetin politik që nënkupton një karrige në OKB për shtetin e pavarur të Kosovës. Ky finalitet politik dhe historik e vendos klasën politike përpara një përgjegjësie të jashtëzakonshme, përpara një sprove të madhe, jo të pakalueshme. Mjafton të bashkohen elementet dhe rrugëtimi i Kosovës mund të kristalizohet politikisht përtej taborëve, përtej ideologjive bjerrakohëse, përtej gjithë ndasive anakronike që mund ta zhvendosin fokusin nga finaliteti politik dhe historik në dergjën e zakonshme të zënkave tipike shqiptare. Koha është për modernitet politik, për një paradigmë politike që ruan brenda vetes aspiratën historike të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran dhe bashkërendimin e padiskutueshëm me miqtë ndërkombëtarë. Për mendimin e taborëve, kjo mund të duket e pamundur. Por, për njerëzit që mendojnë jashtë skemave të paracaktuara, një gjë e tillë jo vetëm që është e mundshme, por edhe e domosdoshme.

You may also like