Sindikatat italiane u kërkojnë Stellantis dhe Ferrari rritje pagash me 8,4% për vitin 2023

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sot, sindikatat italiane kërkuan një rritje page prej 8.4% në vitin 2023 për të kompensuar rritjen e inflacionit, ndërkohë që përgatiten për bisedime zyrtare me grupet industriale Stellantis, Ferrari, Iveco dhe CNH Industrial.

Sindikatat po përgatiten për të negociuar kontrata të reja katërvjeçare, të cilat do të zëvendësojnë ato që skadojnë në fund të 2022.
Kontratat e reja mbulojnë thuajse 70 mijë punëtorë në Itali, dy të tretat e të cilëve punojnë në Fiat-Chrysler, që vitin e kaluar u bashkua me kompaninë franceze PSA, duke krijuar Stellantis.

Kriza e kostos së jetesës në Europë po ushtron presion në rritje tek inflacioni i pagave, ndërkohë që kompanitë në të gjithë botën po përballen me kërkesat e punëtorëve për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve. Në Itali, në shtator, çmimet e konsumit u rritën me 8.9% me bazë vjetore.

Përfaqësuesit e punëtorëve kërkojnë rritje pagash prej 4,5% për vitin 2024 dhe 2,5% për vitin 2025 – deklaruan në një komunikatë të përbashkët sindikatat FIM-CISL, UILM, Fismic, UGLM dhe AQCF, duke shtuar se për vitin 2026 nuk ka ende vlerësime të besueshme mbi inflacionin.

Gianluca Ficco, nga sindikata UILM, deklaroi se kërkesat do të ndryshojnë nëse vlerësimet mbi inflacionin do të ndryshojnë.

“Ne duhet të fillojmë bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur për të arritur rinovimin në kohë të kontratës” – tha Ficco, duke paraqitur propozimin para delegatëve të sindikatës në Romë, të cilët do të duhet t’i miratojnë ato në 18-19 tetor.

Zëdhënësit e Stellantis dhe Iveco thanë se nuk do të bëjnë asnjë koment derisa sindikatat të paraqesin një kërkesë zyrtare, në ditët ose javët në vijim.

Kompania Holding e familjes Agnelli Exor është një nga aksionerët kryesorë të shtëpive automobilistike Stellantis dhe Ferrari, të prodhuesit të kamionëve Iveco dhe prodhuesit të makinerive bujqësore dhe ato të ndërtimit CNH Industrial. Të katër grupet ndajnë të njëjtën kontratë bazë specifike për pjesën më të madhe të punonjësve të tyre italianë.

Stellantis, markat e të cilit përfshijnë Fiat, Peugeot, Jeep, Alfa Romeo dhe Opel, deklaroi muajin e kaluar se do të ofronte një bonus të vetëm me vlerë deri në 1,400 euro për shumicën e punonjësve në Francë për t’i ndihmuar ata të përballen me inflacionin në rritje.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like