Si e ndryshoi përgjithmonë njerëzimin pasqyra

by admin
Spread the love

Nga Stephen C. George

Sipas mitit, Narcizi shumë i pashëm pa veten në një pellg me ujë, dhe ra në dashuri me reflektimin e tij, një auto-obsesion që në fund do t’i merrte jetën. Ndërsa ne mund t’i jemi mirënjohës kësaj përralle paralajmëruese për frymëzimin që na dha për termin narcisizëm që sot përdoret shpesh, duket disi e padrejtë që të fajësojmë një të ri grek pse u magjeps nga pamja e tij.

Tek e fundit, njerëzit kanë qenë të fiksuar pas reflektimeve të tyre për mijëvjeçarë, dhe ky obsesion do të nxiste zhvillimin e një prej shpikjeve më të mëdha në historinë e specieve tona: pasqyrës. Ashtu si Narcizi, njerëzit e lashtë u njohën ndoshta fillimisht me reflektimet e tyre duke i parë në një pellg uji.

Edhe pse nuk e përdorën këtë zbulim për t’u kujdesur për pamjen e jashtme, në një moment ata do ta kenë kuptuar se po shihnin veten. Dhe kjo nuk është një aftësi e parëndësishme: Të jesh në gjendje të identifikosh reflektimin tënd dhe jo të ndonjë krijese tjetër është e pazakontë në natyrë.

Sigurisht, disa kafshë si elefantët, delfinët dhe primatët e tjerë mund ta kalojnë të ashtuquajturin test të pasqyrës, por kjo listë është shumë e shkurtër. Dhe midis njerëzve, njohja e reflektimit të imazhit vetjak – pra pasja e një ndjenje themelore të vetvetes – është një aspekt themelor i njohjes dhe një pjesë e rëndësishme e zhvillimit njerëzor.

Nga një këndvështrim modern, shpikja e pasqyrës duhet të duket si diçka që ishte e pashmangshme, pra gati e paracaktuar. Por si shumë shpikje të tjera, zhvillimi i pasqyrës moderne siç e njohim ishte një proces i gjatë, i papërsosur dhe ndonjëherë i shtrenjtë.

Njerëzit kanë mësuar sesi të ndërtojnë xhama prej rreth 4.000 vjetësh. Pasqyrat më të hershme të njohura ishin prej xhami vullkanik i njohur si obsidian. I zbuluar në varrezat e lashta në Çatallhojuk, një nga qytetet më të vjetra në botë (në Turqinë e sotme), këto objekte me përmasat e dorës datojnë rreth vitit 6000 Para Krishtit.

Këto proto-pasqyra ishin shumë të lëmuara dhe të përpunuara në njërën anë, duke zbuluar jo vetëm një sipërfaqe çuditërisht reflektuese, por edhe një nivel mbresëlënës aftësie dhe teknologjie për njerëzit e asaj periudhe kohore. Ndërsa njerëzit u bënë gjithnjë e më të aftë në punën me metalin, disa qytetërime dolën me idenë e goditjes së bronzit ose bakrit me çekan, dhe pastaj lustrimin e sipërfaqes së tij derisa të ishte reflektuese.

Ose të paktën aq reflektues sa mund të jetë një metal i lëmuar. Disa nga shembujt më të vjetër të mbijetuar, përfshijnë pasqyrat prej bronzit të prodhuara në Egjipt rreth vitit 2900 Para Krishtit, edhe pse pasqyra metalike të thuajse të së njëjtës periudhë janë gjetur në Kinë, Indi dhe gjetkë.

Edhe grekët dhe romakët i donin pasqyrat e tyre, dhe të pasurit i porositnin ato të veshura me argjend. Në shekullin I të Erës sonë, njerëzit kishin përparuar aq shumë në artin e prodhimit të qelqit, saqë më në fund dikush arriti të krijojë një sipërfaqe reflektuese vërtet të mirë duke e veshur pjesën e pasme të një cope xhami me plumb apo edhe ar.

Shkrimtari romak dhe natyralisti Plini Plaku, shkruante se pasqyra të tilla bëheshin në kohën kur jetoi ai dhe ato kishin sipërfaqe shumë reflektuese. Megjithatë, asnjë dëshmi arkeologjike e pasqyrave të hershme prej xhami nuk do të shfaqej për disa qindra vite të tjera. Edhe atëherë, shembujt e gjetur nga ajo epokë janë përdorur ndoshta si bizhuteri, pasi ato ka të ngjarë të ishin shumë të vogla për të parë reflektimin e dikujt.

Ndërsa arti i prodhimit të qelqit cilësor u zbeh me rënien e Perandorisë Romake, ai do të pësonte një ringjallje. Rreth fundit të shekullit XIII-të, Italia – sidomos Venecia dhe ishulli Murano – do të bëheshin të njohur për cilësinë e xhamit të saj.

Në vitet 1500, pasqyrat veneciane ishin standardi i artë i pasqyrave prej qelqi, të lakmuara si për madhësinë po ashtu edhe për cilësinë e tyre, dhe të dëshiruara në të gjithë Evropën por dhe më gjerë nga ata që mund të përballonin lukse kaq të shtrenjta (që në atë kohë ishin kryesisht fisnikë dhe mbretër).

Me kalimin e kohës, pasqyrat prej qelqi të imët u bënë disi më të përballueshme në aspektin financiar, por ishin ende sende të kushtueshme për klasat e mesme apo tregtarët që nisën t’i blinin ato. Disa prodhues përdorën një amalgamë me kallaj dhe merkur, të cilat megjithëse më të lira, ishin toksike dhe të rrezikshme.

Por shumë shembuj të tyre kanë mbijetuar ende sot dhe mund të gjenden në ankande pasqyrash antike prej mërkuri. Vetëm në vitet 1830 u shfaq më në fund pasqyra moderne dhe e përballueshme siç e njohin sot shumica prej nesh. Ishte kimisti gjerman, Justus von Liebig, ai që përsosi në vitin 1835 metodën e përdorimit në xham të nitratit të argjendit, që nëpërmjet proceseve kimike, u shndërrua në një shtresë të hollë dhe reflektuese.

Ai prodhoi një sipërfaqe shumë reflektuese që ngjitej mirë pas xhamit, duke krijuar një pasqyrë cilësore, elegante dhe të përballueshme për shumëkënd dhe thuajse të çdo madhësie. Sot pasqyrat janë kudo. Përveç përdorimeve të shumta shkencore, industriale, madje edhe mistike, ne gjejmë pasqyra pothuajse kudo: në dhomat e gjumit dhe tualetet tona, në makina, çanta, madje edhe në internet, sa herë që hyjmë në një videochat dhe e shohim veten të pasqyruar në ekran.

Shkencëtarët dhe filozofët i kanë kushtuar një sasi të habitshme kohe dhe mendimi fuqisë dhe ndikimit të pasqyrave mbi psikikën njerëzore. Dhe përshtypja kryesore është se qytetërimi ynë, dhe në fakt vetë ekzistenca jonë, do të ishte krejtësisht e ndryshe nëse nuk do të kishim pasqyra përreth.

Siç vuri në dukje historiani i famshëm Jan Mortimer në librin e tij best-seller “Mijëvjeçari: Nga feja tek revolucioni: Si ka ndryshuar qytetërimi gjatë 1 mijë vjetësh”, pasqyrat riformësuan idenë e njerëzimit për atë që do të thotë të jesh individ. “Vetë akti i një personi që e sheh veten në një pasqyrë … e inkurajoi atë të mendonte për veten në një mënyrë tjetër. Ai filloi ta shihte veten si unik”- shkruan Mortimer.

Para se pasqyrat të ishin gjerësisht të disponueshme, argumentojnë Mortimer dhe të tjerët, ne e mendonim veten si individë relativisht të parëndësishëm, thjesht si pjesë përbërëse të një shoqërie. Por në ri-përcaktimin e ndjenjës sonë personale të identitetit, pasqyrat mundësuan dhe pasqyruan një ndjeshmëri moderne për njerëzimin dhe individualitetin, një ndjeshmëri aq e rrënjosur në specien tonë tani, sa që do të ishte e vështirë të imagjinohej qytetërimi sot pa të. / “Discover Magazine” – Bota.al

You may also like