Si “bota serbe” është kopjuar nga “bota ruse” – Shqip

by admin
Spread the love

Publicisti, gazetari dhe ish-politikani Veton Surroi ka deklaruar se është i rëndësishëm qëndrimi i Serbisë kundër legjitimimit të, siç e quajti, grupit paramilitar nga Banjska, si dhe se deri ku do të shkojnë përpjekjet për “legalizimin e atij grupi”.

Këto dy tema u shfaqën në “narrativën zyrtare të Beogradit”, diçka që ai e cilësoi si “të paprecedentë” po ndodh.

“Ka ardhur deri aty që këta njerëz që u vranë nga ai formacion paramilitar bëhen heronj dhe për ta në Serbi bëhet ditë zie, që është e paprecedentë në vendet tona. E gjithë kjo përfundimisht çon në një dimension tjetër të procesit të negociatave, sepse atëherë duhet ta konsiderojmë sigurinë si pikën kryesore të bisedës”, tha Surroi në një intervistë për Radio Televizionin e Bosnjës (BHRT).

Gjithsesi, Surroi beson se nuk është koha për pesimizëm dhe se nga autoritetet serbe varet nëse do të vijë koha për normalizimin e marrëdhënieve.

“Koha do të tregojë nëse një brez njerëzish do të vijnë në Beograd dhe do të thonë ‘ne duhet ta njohim pavarësinë (e Kosovës)’. Por ajo që është e rëndësishme është se nuk ka normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ka barazi, nëse nuk mund ta shikojmë njëri-tjetrin në sy. Mendoj se një moment i tillë historik po afrohet”.

Surroi mendon se paralelizmi i zgjidhjeve të çështjes së Kosovës dhe Bosnjës nuk është i vërtetë.

Çështja e entiteti Republika Srpska, siç beson Surroi, do të jetë më tepër një paralele mes shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë.

“Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vite më parë se ai po krijon këto paralele dhe nëse një situatë nga ish-Jugosllavia mund të përsëritet, atëherë ajo do të përsëritet në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai projekt i ‘botës ruse’ është kopjuar këtu me idenë e ‘botës serbe’. Të dyja janë projekte etno-territoriale që kanë një efekt destabilizues mbi shtetet. Putini ka thënë disa herë publikisht se pavarësia e Kosovës do të reflektojë në republikat që do të krijojë, Abkhazinë, Osetinë dhe tani shohim edhe Ukrainën. Kjo luftë në Ukrainë është pasojë e drejtpërdrejtë e të menduarit për ‘botën ruse’, e cila fillimisht bëri thirrje për shpërbërjen e Jugosllavisë”, tha Surroi. /tesheshi.com/

 

 

 

 

You may also like