Shtetet e Bashkuara dhe makthi i një lufte të re civile

by admin
Spread the love

Lufta Civile Amerikane përfundoi pas katër vjet luftimesh të dhunshme në 1865 me humbjen e ushtrive jugore të udhëhequra nga gjenerali R. Lee, ku 600 mijë njerëz humbën jetën.

Tani, pas një shekulli e gjysmë historie, kombi amerikan po përballet me makthin e një lufte të përhershme kulturore, e cila madje mund të shkaktojë një luftë të paimagjinueshme civile, ku dy fraksionet – konservatorët dhe progresistët- luftojnë gjithnjë e më shumë për të njohur legjitimitetin dhe arsyet e kundërshtarit, i cili ndërkohë është bërë “armik”.

Vendimi historik i Gjykatës së Lartë për abortin, i cili rrëzoi vendimin historik “Roe v. wade”, dhe mbi të gjitha kërkimi i fundit i FBI-së në banesën e ish-presidentit Donald Trump, kanë përkeqësuar një klimë tashmë inkandeshente që nga kryengritja në Kapitol më 6 janar 2021.

Tensioni rritet në SHBA

“Një sulm ndaj Trump është një sulm ndaj patriotizmit të vërtetë amerikan”, shkroi një përdorues në Twitter të martën. Një tjetër mbështetës i Trump, raporton “Business Insider”, tha: “Ata kontrollojnë shtëpinë e Trump, por Biden dhe Clinton nuk preken kurrë. Lufta civile po vjen njerëz”. Ndërsa një tjetër shkruan: “Po na shtyjnë vërtet në një luftë civile, apo jo?”, ndërsa disa spekulojnë se lufta civile tashmë ka filluar: “A është kjo goditja e parë në një luftë civile? A është kjo tirania e përmendur në Amendamentin e 2-të?”.

Partia Republikane, duke filluar nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis, beson se agjencitë federale janë të prekura nga paragjykimet politike dhe se administrata Biden përdor drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë, duke tentuar të parandalojë rikandidimin e Trump.

Christian Whiton, këshilltar i lartë i Departamentit të Shtetit në administratat e Trump dhe George W. Bush, thotë se e majta ekstreme do të pendohet duke përdorur FBI-në kundër Donald Trump. “E majta ekstreme, e lindur në opozitë me administratën Trump, është e vendosur të përdorë fuqinë e qeverisë për të larguar ata që e kundërshtojnë”.

Kemi një klimë luftarake, që sugjeron dhunë të re dhe një vjeshtë vërtet të nxehtë. “Është e mundur që  të ketë raste të tjera dhune si ato që pamë më 6 janar”, shpjegoi në një intervistë për “Insider” Carole Emberton , një profesore e historisë në Universitetin e Buffalo-s, e specializuar në Luftën Civile Amerikane. Një studim konfirmon se një në pesë amerikanë beson se dhuna e motivuar politikisht është e justifikuar në disa raste. Pothuajse gjysma e amerikanëve presin një luftë civile dhe shumë thonë se do ta shkëmbenin demokracinë për një udhëheqës të fortë.

Politika e identitetit ndezi fitilin, duke e shndërruar superfuqinë botërore në një shoqëri shumë të polarizuar, të ndarë në fise konkurruese, të cilat e kanë gjithnjë e më të vështirë të njohin vetveten. Sondazhet janë shqetësuese dhe tregojnë se amerikanët e shohin gjithnjë e më të rëndësishme të jetojnë pranë njerëzve që ndajnë vlerat e tyre politike. Armiqësia ndaj atyre që janë pjesë e palës së kundërt, është më e lartë se në çdo moment historik. 42% e votuesve të regjistruar besojnë se amerikanët nga partia tjetër janë “absolutisht të këqij”. Gati 40% do të tronditeshin nga perspektiva që fëmija i tyre të martohej me dikë në anën e kundërt. Edhe para zgjedhjeve të vitit 2020, kur u pyetën nëse dhuna do të ishte e justifikuar nëse partia tjetër do të kishte fituar zgjedhjet, 18.3% e demokratëve dhe 13.8% e republikanëve thanë po.

Numra rrëqethës, të një kombi të ndarë dhe të plagosur, në krizë të rëndë identiteti dhe që duhet të përballet me një makth, atë të luftës civile, të cilën ai mendonte se e kishte përzënë përgjithmonë. /“Inside Over”

Rruga Press

You may also like