Shtatorin e presim të relaksuar dhe me një “as nën mëngë”, dy fitore radhazi mungonin prej vitit 2021

by admin
Spread the love

Kombëtarja merr frymë lirisht  brenda dhe jashtë fushe. Ngërçi i krijuar prej kohës së trajnerit Edy Reja duket një histori e largët teksa energjia pozitive dallohet kudo në ambientin kuqezi.

Rezultatet e tregojnë këtë me Shqipërinë që rikthehet të fitojë dy ndeshje radhazi prej shtatorit të vitit 2021, kur e bënte diçka të tillë për llogari të kualifikueseve për Botërorin e Katarit me kuqezinjtë qe mposhtnin në atë periudhë San Marinon me shifrat 5-0 dhe më pas fitonin në transfertë ndaj Hungarisë me rezultatin 0-1.

Grupit aktual, i është rikthyer entuziazmi dhe kjo është një nga kriteret e domosdoshëm në rrugën drejt suksesit. Sinjalet e para kuqezinjtë i patën dhënë që në debutimin e trajnerit Sylvinho në transfertë ndaj Polonisë, pavarësisht asaj humbje minimale në Varshavë me rezultatin 1-0.

Tashmë, në dy ndeshjet e qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, kombëtarja bëri detyrën dhe mori gjashtë pikë të plota duke shënuar edhe pesë gola e pësuar vetëm një. Në fushë zbritën lojtarë të rinj si Mitaj, Asani, Mehmeti, Muçi apo edhe Asllani me Bajramin që nuk zhgënjyen, por përkundrazi rezultuan një surprizë e këndshme.

Madje, Bajrami e pranoi në intervistën pas ndeshjes me Moldavinë se tashmë me Sylvinhon është rikthyer të luajë në pozicionin ideal. Rezultati? Dy gola të shënuar në dy ndeshje nga fantazisti që aktivizohet me Sassuolon në Serie A. Të gjithë janë të lumtur në kombëtaren aktuale dhe duket se gjithsecili ka gjetur dhe ka marrë vendin që i takon.

Fitorja ndaj Ishujve Faroe, kombinuar edhe me disfatën e Polonise në transfertë ndaj Moldavisë, na “katapulton” në vendin e dytë të Grupit E kualifikues për Euro 2024. Ëndrra ka nisur të marrë formë dhe të bëhet më e prekshme, megjithatë ka ende shumë rrugë përpara dhe shtatori do të jetë përcaktues duke qenë se udhëtojmë në Çeki dhe më pas presim Poloninë në shtëpi.

Dy rivalët kryesorë të grupit, por që rezultatet e marra në këtë muaj, bëjnë që shtatorin djemtë kuqezi dhe tekniku Sylvinho ta presin të relaksuar me shpresën se vera dhe fillimi i sezonit i ardhshëm do t’i karikojë sërish me energjitë e duhura për të kaluar provat e vërteta. Pa harruar edhe “asin nën mëngë”, Armando Broja i cili pritet të jetë gati në muajin shtator dhe të kompletojë “arsenalin” e trajnerit Sylvinho!/ Supersport


Top Channel

You may also like