Shqipëria mposhtet nga Spanja në Barcelonë

by admin
Spread the love

Është mbyllur 2-1 ndeshja miqësore mes Spanjës dhe Shqipëri, sfidë që u luajt në “RCDE Stadium”, aty ku kishte një numër të konsiderueshëm të tifozëve të pranishëm.

Ndeshja nisi me të dy skuadrat që tregoheshin të kujdesshme, me Spanjën që qarkullonte topin, ndërsa Shqipërinë në pozicione mbrojtëse, duke mos lejuar hapësira.

Në minutën e 15-të ishte një lojë me dorë në zonën e Spanjës, por gjyqtari nuk akordoi penallti.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e kishte Spanja me Pedrin, i cili gjuajti nga brenda zonës, por Etrit Berisha ishte në vend.

Para se të mbyllej pjesa e parë Armando Broja futet bukur në zonë, harkon për Sokol Cikalleshin, por ky i fundit doli të jetë i shkurtër në harkim.

Edhe pjesa e dytë sikurse e para, Spanja mbante topin dhe sulmonte, ndërsa Shqipëria ishte e saktë në detyrat mbrojtëse.

Për të parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e 75-të, kur Yeremy Pino pasoi te Ferran Torres i cili shënoi për 1-0.

Sërish në minutën e 81-të, Shqipëria kërkoi penallti, ku një top i goditur me kokë preku Rodrin, por sërish gjyqtari nuk ishte i mendimit të jepte penallti.

Shqipëria arriti t’i barazojë shifrat në minutën e 85-të, kur Myrto Uzuni përfitoi nga një ngatërrim i mbrojtjes spanjolle, duke shënuar për 1-1.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej baras, në skenë doli Dani Olmo që me një goditje perfekte shënoi për 2-1.

Ky ishte një test shumë i mirë për Shqipërinë, që tregoi edhe njëherë që ka skuadër të përballet edhe me kombëtare të forta.

You may also like