Shpërqendroheni lehtësisht? Atëherë duhet të nisni të mendoni si murgjit mesjetarë – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Murgjit mesjetarë ishin në shumë aspekte të ngjashëm me përdoruesit e sotëm të LinkedIn. Të zellshëm dhe me një aftësi për vetë-promovim, atyre u pëlqente të lexonin dhe të tregonin histori frymëzuese mbi të krishterët e tjerë të hershëm, të cilët kishin treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës së tyre.

I tillë është sot rasti i Sarës, që jeton pranë një lumi, por pa e parë asnjëherë atë, kaq i madh është përkushtimi ndaj besimit të saj. Apo i Xhejmsit që u lut me aq ngulm gjatë një stuhie të madhe bore, saqë u varros në dëborë dhe u desh ndërhyrja e fqinjëve që ta shpëtonte.

Por asnjë nga këta besimtarë të hershëm nuk mund të shmangte shpërqendrimin si Pakomius. Murgu i shekullit IV, përballoi një paradë demonësh që u shndërruan në gra nudo dhedepërtuan në muret e banesës së tij, duke u përpjekur ta bënin të qeshte. Pakomius as që u hodhi sytë.

Për shkrimtarët e hershëm të krishterë, Pakomius dhe të ngjashmit e tij, vendosën një standard të lartë për përqendrimin që aspironin ta arrinin murgjit e tjerë. Edhe nëse sot nuk jeni të rrethuar nga demonët, ka shumë gjëra që mund të mësoni nga murgjit mesjetarë rreth shpërqendrimit.

Shqetësimet tona aktuale mbi vetë-motivimin dhe produktivitetin, mund të duket si produkti i një bote të dominuar nga teknologjitë shpërqendruese. Por murgjit vuajtën njëlloj nga shpërqendrimi më shumë se 1500 vjet më parë.

Ata shqetësoheshin për kërkesat e punës dhe lidhjeve shoqërore, por edhe për shpërqendrimet që u vinin nga teknologjitë e reja, dhe kërkuan rutina frymëzuese që mund t’i ndihmonin të jetonin jetë më produktive. Por a mund të ndodhë që murgjit e hershëm të krishterë të jenë heronjtë e produktivitetit që ne kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe?

Xhemi Kreiner mendon se po. Ajo është një historiane e epokës së Mesjetës dhe  autore e një libri të ri të quajtur “Mendja endacake: Çfarë na thonë murgjit mesjetarë për shpërqendrimin”. Ai shqyrton mënyrën sesi murgjit e hershëm të krishterë – burra dhe gra që jetuan  midis viteve 300 dhe 900 – e forcuan përqendrimin e tyre.

Murgjit kishin një arsye të fortë që të ishin të shqetësuar me problemin e shpërqendrimit. Në dallim nga gjithë të tjerët, ata ia kishin kushtuar gjithë jetën përpjekjes për t’u përqendruar te Zoti. Dhe për shkak se donin të ishin të përqendruar vetëm tek ky synim, shkruan për shpërqendrimin më shumë se të gjithë të tjerët”- thotë Kreiner.

Një nga mënyrat kryesore sesi e murgjit inkurajonin njëri-tjetrin të qëndronin të përqendruar tek lutjet dhe studimet e tyre, ishte duke ndarë më të tjerët tregime mbi përqendrimin ekstrem. Ndonjëherë ato ishin frymëzuese, si historia e Simeon Stilitit, që jetonte në majën e një shtylle dhe nuk shpërqendrohej kurrë, edhe kur këmba e tij ishte shumë e infektuar.

Në raste të tjera, historitë ishin sajuar enkas për t’i mbajtur murgjit të përulur. Por nuk pritej që ata të ishin të përsosur në këtë aspekt, pasi do të shpërqendroheshin herë pas here. “Murgjit ishin shumë të dhembshur me njëri-tjetrin. Por kultura moderne e ngutjes së vazhdueshme për të bërë gjërat me shpejtësi, nuk është gjithmonë aq falëse”- shton historiania. Në botën e ndikuesve në internet, i takon individit që ta ndryshojë botën e tij. Edhe ju mund të jeni të suksesshëm, por vetëm nëse  e dëshironi mjaftueshëm këtë gjë.

Ose siç shprehet ylli i  “Love Island”, MolliMae Hag në “Ditari i podkastit të një CEO”:”Ju është dhënë një jetë, dhe varet nga ju se çfarë bëni me të!”.

Megjithatë, bota reale tenton që t’iu pengojë. Pavarësisht se sa shumë përpiqeni të distancoheni nga bota e jashtme, kjo e fundit e gjen një mënyrë për të depërtuar dhe për t’iu shkatërruar planet tuaja. Kjo gjë vlen po aq sot sa një 1 mijë vite më parë. Murgu Frang jetonte i vetëm brenda një varri të vjetër faraonik afër qytetit të sotëm egjiptian  Luksor.

Por edhe jeta e një vetmitari nuk ishte pa shpërqendrime. Frang la si trashëgimi copa qeramike që tregojnë se ai ishte në kontakt me mbi 70 korrespondentë. Ai merrte nga njerëzit  kërkesa që bekimin e bagëtive dhe fëmijëve të tyre. Ai donte të huazonte libra dhe i ftonteherë pas here njerëzit që ta vizitonin.

Por ndonjëherë ai shkruante për dëshirën e tij për të qëndruar vetëm. “Zgjidhjet e murgjve ishin shumë më të ndjeshme ndaj faktit që ne jemi qenie shoqërore të kufizuara nga mjedisi dhe burimet tona”- thotë Kreiner. Ashtu si ne, edhe ata kishin kërkesa konkurruese për kohën e tyre, dhe duhej të balanconin përkushtimin ndaj jetës së tyre të brendshme me rolet që luanin në komunitetet e tyre.

Murgjit nuk kishin frikë të pranonin të dyja anët e jetës së tyre. Frang ishte origjinal në këtë aspekt. Ai e dinte se edhe puna shpirtërore për të arritur njëmendësinë, do të binte ndonjëherë në kundërshtim me kërkesat e tij të tjera, por edhe se “bota reale” nuk ishte diçka, të cilës ai mund t’i kthente shpinën.

Nga ana tjetër, edhe rutina më e mirë mund të prishet nga teknologjitë e reja. Në shekullin IV, një risi e çuditshme nisi që të ngjallte dyshime dhe intriga tek murgjit:kodiku. Një pararendës i hershëm i librit, kodikët ofruan një mënyrë më elegante për të organizuar tekste të gjata në krahasim me rrotullat, që deri atëherë ishin mënyra më e njohur e ruajtjes së shkrimit.

Me paraqitjen e tij të thjeshtë, disa murgj kishin frikë se kodiku do t’i largonte murgjit nga përmbajtja e faqeve të tij. Por të tjerët e panë potencialin e kësaj teknologjie të re për të forcuar dijet e tyre. Ata i shtuan komentet e tyre në cepat e kodikëve dhe nënvizuan pasazhe të rëndësishme për t’i ndihmuar me kujtesën. Edhe teknologjitë e reja na ofrojnë mënyra për të qenë më produktivë në punën tonë, por vetëm nëse i përdorim ato në mënyrën e duhur. / Marrë me shkurtime nga Wired – Bota.al

You may also like