Shkollat “rrejnë”, s’po i raportojnë rastet e dhunës, çka thonë prindërit?

by admin
Spread the love

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka thënë se menaxhmenti i shkollave po heziton në raportimin e rasteve të dhunës ndaj nxënësve.

“Ne i besojmë shënimeve të prezantuara nga policia e Kosovës që janë diku 440 raste dhe këtë shqetësim të fshehjes së rasteve nga menaxhmentet e shkollave ne me kohë kemi ngritur këtë çështje për katër vite dhe mbikëqyrja që duhet të bëhet prej DKA-ve qoftë prej ministrisë, nuk ka treguar sukses”, ka thënë ai në Edicioni Special.

Sipas tij, nuk po raportohen rastet për shkak të ruajtjes së imazhit të shkollave, por që sipas tij është e dëmshme pasi fëmijët e pësojnë.

“Mesa më kujtohet dhe rastin në Prishtinë që ka ndodhur ngacmimi seksual, drejtoresha e ka arsyetuar fshehjen për shkak të imazhit, do të thotë është ruajtja e imazhit të shkollave .Menaxhmenti i shkollave nuk e kupton përgjegjësinë ligjore për lajmërimin e rasteve, që vlen më shumë se imazhi. Ky është një dëm i madh që i bëhet identifikimit të rasteve të dhunës dhe  luftimit të rasteve të dhunës, dhe kjo situatë nuk qëndron mirë në asnjë komunë”, ka shtuar ai.

Reshiti tha se Ministria e Arsimit duhet t’u japë ndonjë adresë që të mund të drejtohen edhe aty e jo vetëm në shkolla.

“Ministria e Arsimit duhet ta japë edhe një adresë jo veç adresimi i problemeve në shkollë, pse aty po heshten rastet. Ministria është dashtë me japë edhe mundësi tjetër email adresë ose kontakt të ndonjë zyrtari nëse këto raste nuk gjejnë zgjidhje në shkolla të raportohen në ministri”, vazhdoi Reshiti.

Sipas tij, për vite të tëra Ministria e Arsimit nuk ka treguar rezultat, me arsyetimin se është kompetencë e komunave.

 

You may also like