SHGSK reagon ndaj gjuhës denigruese të Ismet Munishit karshi gazetares Alba Morina

by admin
Spread the love

Deklarata e ish-futbollistit, Liridon Lecit për skuadrën e Gjilanit në emisionin sportiv “Kampionët” në Kanal 10, ku thotë se Gjilani e ka lojën më të dobët nga pretendentët tjerë për titull, ngjalli reagim të ashpër të trajnerit Ismet Munishi.

Ai e ka cilësuar Lecin si analistin më të dobët, por në mes tjerash nuk e ka kursyer as drejtuesen e emisionit Alba Morina ndaj të cilës ka përdorur një gjuhë denigruese.

“…ajo që udhëheq emisionin shkrihet nga gëzimi kur ky i njëjti në vazhdimësi kritikon lojën e SC Gjilanit. Nëse nuk nalen me këtë lloj denigrimi nënçmimi të qëllimshëm do të ju tregoj edhe pjesën tjetër”, ka shkruar Munishi.

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka reaguar ndaj kësaj gjuhe dhe ka kërkuar nga trajneri kërkim falje ndaj Alba Morina.

Njoftimi i SHGSK:

Të nderuar,

SHGSK reagon ndaj gjuhës denigruese dhe përqeshëse të trajnerit të SC Gjilani, Ismet Munishi.

Në një koment të z. Munishi në rrjetet sociale, përveç mllefit të tij ndaj futbollistit Liridon Leci, ai mundohet të ulë me krahasime të ulëta, gazetaren dhe moderatoren Albba Morina.

Edhe pse nuk i është përmendur emri koleges sonë, në tekstin e Munishit thuhet “… ajo që udhëheq emisionin shkrihet nga gëzimi kur ky i njëjti në vazhdimësi kritikon lojën e SC Gjilanit” (tekst i redaktuar).

SHGSK kërkon nga z. Ismet Munishi të kërkojë falje publike, për të mos shërbyer si model edhe nga të tjerët, që të ulin figurën dhe rolin e vajzave në gazetarinë sportive.

Kërkojmë poashtu nga SC Gjilani, që si klub serioz, të distancohet nga qëndrimi publik i trajnerit Ismet Munishi, për të mos lënë hapësirë që kjo situatë të interpretohet si qëndrim me të cilin pajtohet ky klub, imazhin e së cilit e prishin deklarime të tilla joprofesionale dhe të pamatura.

SHGSK mbështet çdo vajzë që e ka zgjedhur gazetarinë sportive, e nga viti në vit i ka inkurajuar ato që të merren me zejen e gazetares sportive, moderatores dhe komentatores.

Me respekt

Bordi i SHGSK-së. 

/Insporti.com

You may also like