Shënohet rritje alarmante 30-fish e fruthit në Evropë – Shqip

by admin
Spread the love

Vitin e kaluar kishte një rritje alarmante 30-fish të rasteve të fruthit në Evropë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Udhëheqësit e shëndetësisë po paralajmërojnë se rastet janë ende në rritje dhe nevojiten “masa urgjente” për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Më shumë se 30 mijë njerëz u infektuan më 2023, krahasuar me 941 gjatë gjithë vitit 2022.

OBSh beson se kjo është rezultat i më pak fëmijëve që janë vaksinuar kundër sëmundjes gjatë pandemisë Covid.

Në Mbretërinë e Bashkuar, zyrtarët shëndetësorë thanë javën e kaluar se një shpërthim i fruthit shumë ngjitës në West Midlands mund të përhapet me shpejtësi në vende dhe qytete të tjera me shkallë të ulët vaksinimi.

Më shumë se 3.4 milionë fëmijë nën moshën 16 vjeç janë të pambrojtur dhe në rrezik të sëmuren nga sëmundja, sipas NHS England.

Miliona prindër dhe kujdestarë po kontaktohen dhe u kërkohet të caktojnë termin për të siguruar që fëmijët e tyre të vaksinohen plotësisht kundër fruthit. Vaksina e fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) jepet në dy doza – e para rreth moshës një vjeç dhe e dyta kur fëmija është rreth tre vjeç e katër muajsh.

Vaksina është shumë efektive në mbrojtjen kundër fruthit, por vetëm 85% e fëmijëve që fillojnë shkollën fillore në Mbretërinë e Bashkuar i kanë pasur të dyja vaksinat.

Duke folur për situatën në Evropë, Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal në OBSh, tha: “Ne kemi parë, në rajon, jo vetëm një rritje 30-fish të rasteve të fruthit, por edhe afro 21 mijë shtrime në spital dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin. Kjo është shqetësuese. Vaksinimi është mënyra e vetme për të mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme”.

Fruthi mund të jetë një sëmundje serioze në çdo moshë. Shpesh fillon me një temperaturë të lartë dhe skuqje, e cila normalisht pastrohet brenda 10 ditësh – por ndërlikimet mund të përfshijnë pneumoni, meningjit, verbëri dhe konvulsione.

Foshnjat që janë shumë të vogla për t’iu dhënë dozën e parë të vaksinës, gratë shtatzëna dhe ato që kanë sistem imunitar të dobësuar, janë më të rrezikuarit. Gjatë shtatzënisë, fruthi mund të çojë në lindje të vdekur, abort dhe lindjen e një fëmije me peshë të vogël.

OBSH tha se fruthi kishte prekur të gjitha grupmoshat vitin e kaluar – të rinj dhe të moshuar.

Në përgjithësi, dy në pesë raste ishin te fëmijët e moshës 1-4 vjeç dhe një në pesë raste ishin te të rriturit e moshës 20 vjeç e lart.

Midis janarit dhe tetorit 2023, 20 mijë e 918 njerëz në të gjithë Evropën u shtruan në spital me fruth. Në dy vende u raportuan gjithashtu pesë vdekje nga fruthi.

You may also like